Në Shkodër u zhvillua ndeshja e basketbollit midis Vllaznisë dhe Partizanit. Në fillim basketbollistët e të dy ekipeve zhvilluan një lojë të shpejtë dhe me rezultat. Tabela e pikaverazhit që në minutat e para, tregonte se forcat në fushë janë të ekuilibruara. Më vonë shkodranët bëhen më aktivë dhe më të qartë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Shumë herë, me kombinimet e tyre të bukura, ata tërhoqën admirimin e qindra sportdashësve shkodranë që kishin mbushur këndin sportiv “Spartak”.

Skuadra Partizani, formacioni i së cilës nuk ishte ai i vitit të kaluar, vuri të gjitha forcat për t’i përballuar sulmet e vendasve, por pa përfundim. Shkodranët e fituan pjesën e parë 35-25.
Në pjesën e dytë trajneri i ekipit të Vllaznisë aktivizoi me rradhë të gjithë pjestarët e ekipit. Tërhoqi vëmendjen sidomos lojtari Osmani II, që u paraqit mjaft energjik, i shpejtë dhe i pregatitur mirë nga ana teknike. Vendasit arritën të shkëputen deri në 22 pikë. Vetëm në minutat e fundit ekipi i Partizanit bëri disa kosha. Loja mori fund 68-59 në favor të Vllaznisë.

U aktivizuan për Partizanin: Lleshi, Përmeti, Çumashi, Haxhiu, Beqiri, Përmeti II, Graceni.

Për Vllazninë: Ademi, Shatku, Kalaja, Ademi II, Çoba, Osmani, Quku, Osmani II, Shiroka, Drini, Dani, Voci.

“Sporti Popullor”, datë 1 shkurt 1961