Problemet e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë po shfaqen gjithnjë e më tepër në ecurinë e këtij ekipi në kampionat. Pasditen e sotme ai ka luajtur në Durrës ndaj ekipit vendas Teuta.

Kjo e fundit korri fitoren e parë në “Ramazan Njala” të Durrësit duke munduar me lehtësi 101-46 Vllazninë.

Një përballje mes dy ekipesh që kanë pretendime të ndryshme këtë sezon. Miqtë nga Shkodra, me shumë largime e pa pretendime, luajtën dobët përballë një Teuta më të kompletuar dhe të fortë, që e dominoi takimin gjatë gjithë kohës, duke e merituar fitoren.

Humbja me 55 pikë diferencë natyrisht që tregon më së miri për gjendjen e kuqebluve në këtë kampionat. Ato jo vetëm që nuk do munden të luftojnë për vendet e para, por duhet të punojnë fort për të mos rënë nga kategoria.

Nderkohe, dy ndeshje dhe dy fitore për skuadrën e Partizanit në basketboll për meshkuj, që ka marrë kreun e renditjes së Superligës pas takimeve të javës së dytë të nisura sot.

Skuadra e trajnerit Fagu fitoi 100-58 në kamëz ndaj skuadrës vendase, duke udhëhequr klasifikimin me 4 pikë të plota. Një start i mirë i këtij kampionati nga Partizani, që duket se pretendon shumë.
© shkodrasport.com