Vllaznia në basketboll për meshkuj ka arritur një fitore të lehtë mbrëmjen e sotme ndaj ekipit Eagle Basket në ndeshjen e rradhës për kampionat dhe për këtë arsye, fitorja e thellë në shifrat 106-67 është mëse e justifikueshme sepse kundërshtari ka qenë shumë i dobët. Kemi të bëjmë me një ekip debutues në këtë kampionat i cili i ka humbur të gjitha ndeshjet deri më tani dhe kuptohet që fitorja e ekipit shkodran nuk ishte problem.

Megjithatë trajneri Gjeçaj u dha mundësinë lojtarëve të stolit për të luajtur dhe për të marrë më shumë minuta aktivizim. Perioda e parë ka patur disi më shumë rivalitet dhe është mbyllur në shifrat 21-13 por në të dytën pastaj diferenca rritet dhe ajo mbyllet 30-18 dhe kësisoj ekipet shkojnë në pushim me një diferencë prej 20 pikësh. Ajo do të vinte duke u thelluar në dy të tjerat që mbyllen sërish në favor të Vllaznisë në shifrat 28-17 dhe 27-19. Kësisoj me rezultatin e përgjithshëm 106-67, kuqeblutë marrin një fitore të pritshme dhe tashmë u duhet të mendojnë për dy sfidat e fundit të këtij viti, ato me Kamzën dhe me Tiranën.
© shkodrasport.com