Basketbollistja më e mirë e Vllaznisë Gridi Sokoli e ka lënë këtë skuadër dhe para pak ditësh ka kaluar tek ekipi i Tiranës. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e klubit kryeqytetas që e cilësojnë marrjen e kësaj basketbollisteve si një përforcim shumë të rëndësishëm për skuadrën e tyre në prag të nisjes së kampionatit të ri. Por nga ana tjetër, largimi i Sokolit nga Vllaznia, i ka prishur jo pak planet e trajnerit Rajmond Rasha i cili e ka bazuar prej disa sezonesh lojën e skuadrës së tij pikërisht tek kjo sportiste. Një largim i tillë në prag të nisjes së kampionatit, natyrisht që është një minus i madh për këtë skuadër e cila tashmë kuptohet që do ketë pretendime edhe më të pakta për sezonin e ri. Në fakt problemi i marrjes së femrave me sport në Shkodër është kthyer në një gangrenë të vërtetë. Mungesa e anës financiare por edhe e mentalitetit, bëjnë që shumë prej sportisteve ose ta braktisin fare sportin ose të gjejnë skuadra të tjera për të vazhduar karrierën e tyre. Në fakt për Gridi Sokolin kjo nuk është hera e parë që lëviz nga Shkodra sepse edhe tre vjet më parë ka qenë sërish pjesë e Tiranës ndërsa kjo është hera e dytë që bashkohet me të.
www.shkodrasport.com