“Sa të kem jetë do të keni një vend të veçante në zemrën time”- kjo ishte deklarata e Mevlan Adilit kur ai u largua nga Vllaznia për të nisur një aventurë të re, shumë larg, ai luan në kategorinë e dytë ruse me skuadrën e Kabarovsk, por kjo nuk e ka penguar aspak që të ndjekë kuqeblutë. Në një intervistë për ‘Oversport’, qendërmbrojtësi komentoi ecurinë e kuqebkluve deri më tani duke theksuar se ka besim te eksperienca e një tekniku si Mirel Josa.

“Përshëndetje miq të “Oversport”, platforma që na bënë të mundur që të shohim ndeshjet e kampionatit shqiptar. Vllaznia e këtij vitit është një Vllazni e mirë, mendoj se nuk e filloi sezonin siç dëshironte me një humbje, por mendoj se duke treguar karakter të fortë fitoi dy ndeshje të forta dhe është e pozicionuar mirë në tabelën e klasifikimit dhe është vetëm fillimi i kampionatit. Duke ditur se çfarë lojtarësh me karakter ka në skuadër dhe duke ditur se ka trajner një profesor si Mirel Josa i cili falë përvojës së tij në Superligen shqiptare di të menaxhojë çdo situatë dhe mendoj që meriton besim të plotë dhe rezultatet do të vijnë. “

A e ka lënë në dorë të sigurt Mevlan Adili mbrojtjen e Vllaznisë? Ja se si përgjigjet futbollisti: “Mendoj që mbrojtja e Vllaznisë është në duart e sigurta sepse nuk ka ndonjë ndryshim, përveç largimit tim. Mbrojtja është ashtu siç ka qenë edhe vjet. Ka lojtarë më grintë, me cilësi dhe besoj që edhe këtë vit do të bejnë shumë më mirë”.

Adili tregon se sa shumë i mungon Shkodra dhe klubi, ndërsa të lë të nënkuptohet një rikthim i mundshëm i tij.

“Sigurisht që më mungon sepse kam kaluar vite fantastike. Më mungon tifozeria shkodrane, qytetarët e saj të respektuar që janë në Shkodër. Por kështu e ka jeta dhe shpresoj që një ditë të rishihemi sërish, pse jo”.

Ish-qendërmbrojtësi është i bindur që kuqeblutë do të triumfojnë ndaj Partizanit, në çdo aspekt.

“Ndeshjen kundër Partizanit e parashikoj fitore për Vllazninë. Një fitore do të jetë në tribuna dhe një tjetër në fushën e lojës”. Adili ne fund bën urimin më ë bukur për Vllazninë.

“Çdo vit Vllaznia krijon skuadër për titull sepse është djepi i futbollit shqiptar. Normalisht që tifozët janë të nervozuar sepse mendja e tyre është te titulli sepse ka shumë vite që nuk shkon në Shkodër. Shpresoj që të festojnë këtë vit”. /Oversport/