Ish-futbollisti i Vllaznisë, shkodrani Behar Ramadani, është rikthyer te goli pas një kohe të gjatë. Mesfushori i njohur për saktësinë e tij në këtë repart realizoi golin e parë në këtë edicion futbollistik me Flamurtarin, në sfidën e javës së fundit të kampionatit në ndeshjen ndaj Apolonisë së Fierit.

33-vjeçari goditi me saktësi topin, i cili përfundoi në rrjetën e portierit të miqve. Në fakt, Behar Ramadani luan prej dy vitesh në Vlorë.

Ndërkohë, nga viti 2019-2021, ai përfaqësoi edhe Vllazninë, duke luajtur në 25-ndeshje, teksa këtë vit po ndihmon Flamurtarin me synimin për t’u ngjitur në Abissnet Superiore dhe pikërisht në ndeshjen e fundit të kampionatit, Ramadani realizoi edhe golin e parë për këtë sezon me fanellën e kuqezinjve.

Poashtu, në ndeshjen midis Flamurtarit dhe Apolonisë, në fushën e blertë luajtën për 90-minuta të plota edhe dy shkodranë të tjerë. Fjala është për Denis Pjeshkën që është pjesë e vlonjatëve dhe Serjan Repaj tek fierakët, të cilët që të dy bënë një ndeshje pozitive në repartin e mbrojtjes, aty ku edhe ata luajnë.
Maringlen ZHIVANI