Trajneri Ardi Behari, tha se Shqipëria duhet të mësohet të luajë me kundërshtarë si Kili, që sipas tij, i përafrohet Spanjës dhe Kroacisë.
Duke analizuar humbjen në miqësore, Behari deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se nuk e kishte parë ndonjëherë Kombëtaren të gabonte kaq pasime.
“Skuadra duhet të mësohet të luajë me kundërshtarë të fortë, si Kili. U zgjodh sepse përafrohen me futbollin e Spanjës dhe Kroacisë, me kapacitetet e tyre teknike. Një nga benefitet e mëdha, është përballja me skuadra të këtij kalibri, që të përgatitesh për Europian.
Diferencat në fushë, nuk i bënë vetëm karakteristikat e lojtarëve, por edhe zgjidhjet që u bënë në fushë. Nëse do kishim shënuar në rastin e parë me Manajn, do ishte një ndeshje tjetër. Këtë e shfrytëzoi Kili, që shënoi në rastin e parë. E çuan lojën aty ku donin. Patëm një problem ndryshe nga herët e tjera, pasimet e gabuara.
Nuk e kisha parë ndonjëherë skuadrën tonë, të gabonte kaq shumë. Ndoshta u tensionuan nga rezultati dhe pësuam dy gola në fund. Ka lojtarë, të cilët kanë vendin e të pazëvendësueshmit. Duke filluar nga Berisha në portë dhe Ismajli në mbrojtje. Këto sollën këtë rezultat 3-0. Nuk ma pranon logjika pjesën e nënvlerësimit”- u shpreh Behari.