Shqipëria arriti ditën e djeshme të mposhte Uellsin, që drejtohet nga legjenda Rajan Gigs. Kuqezinjtë arritën të fitonin me një 11-metërsh të shndërruar në gol nga Bekim Balaj. Sulmuesi shkodran me finalizimin e bërë gjithashtu arriti në një farë mënyre që të “shpëtonte” edhe trajnerin e kuqezinjve, Kristian Panuçin.

Për italianin pas humbjes me Skocinë, posti i tij si trajner i Kombëtares ishte kthyer në diskutim, pasi dhe rezultatet e fundit flisnin kundër italianit.

Përsa i përket Bekim Balajt mund të themi se është rikthyer tek goli që prej ndeshjeve kundër Maqedonisë dhe Lihtshtejnit, teksa shkodrani fillimisht atë sfidë hapëse për eleminatoret e Botërorit të shkuar, i dha 3 pikë djemve që drejtoheshin nga Xhani De Biassi. E për të vazhduar më pas te ajo fitore në transfertë ndaj Lihtshtejnit me rezultatin 0-2.

Ndonëse është në një formë jo të mirë të momentit, Bekimi arriti sërisht të nxirrte të tijët nga presioni duke i dhuruar fitoren. Me ndeshjen e djeshme Shqipëria i dha fund sfidave të saj për këtë vit, që tashmë pret të njohë kundërshtarët e saj të ardhshme për eleminatoret e Europianit.

Shorti është planifikuar të hidhet në datën 2 dhjetor dhe atëherë mundësit për të arritur një ëndërr tjetër do të bëhen më të qarta. /Shqiperia.ch/