Prej shumë muajsh, tifozët e klubeve në Gjermani janë bashkuar në një protestë kundër Bundesligës. Ata nuk dëshirojnë më të shohin skuadrat e tyre në ndeshjet e të hënës në darkë, kur shumëkush nuk ka mundësinë t’i ndjekë në shtëpi apo transfertë, pasi luhet jashtë fundjavës tradicionale.

Pas protestave e parullave të shumta që janë shfaqur në stadiume, më në fund ata kanë arritur të bindin edhe klubet e Bundesligës, të cilët kanë gjetur akordin dhe duke filluar nga sezoni 2021/2022, nuk do të ketë më ndeshje të tilla të hënave.

Disa grupe tifozësh kishin paralajmëruar një bojkot të ndeshjeve në këtë sezon, pasi ishin të pakënaqur me sfidat e të hënës, ashtu si edhe më ato të së premtes në darkë.

Por më në fund klubet kanë dëgjuar apelin e tyre dhe kanë votuar ndryshimin e kalendarit. Fakti se ai do të hyjë në fuqi vetëm pas dy vitesh, është pasojë e kontratave ekzistuese me televizionet që nuk mund të prishen. /vipsport/