Nga Vllaznia, Skënderbeu, Kukësi e Laçi përfundon tek “Vllaznia B”. I ka ndodhur kështu mesfushorit shkodran Bekim Dema. Karriera e tij nuk ka shkuar ashtu si duhet në sezonet e fundit dhe për rrjedhojë është rikthyer aty ku e nisi atë, me shpresën për t’u ringjitur. Për këtë arsye, 24 vjeçari ka dalë në stërvitje dhe në sezonin e ri pritet të luajë me Vllazninë B.
Diçka e paimagjinueshme në fakt por ky është realiteti. Ai ka disa ditë që është vënë nën urdhërat e trajnerit Kraja dhe sot ka luajtur në ndeshjen miqësore kundër ekipit të të rinjve. Shumë prej të pranishmëve në fushën sportive “Reshit Rusi” janë habitur kur e kanë parë atë në fushë megjithatë Dema është i vendosur për të punuar fort dhe për t’u rikthyer sërish në nivele të larta. Me të në përbërje por edhe me lojtarë të tjerë si Hajdari, Dibra, Erkoçeviq etj, Vllaznia B pritet të jetë një “kockë e fortë” për të gjithë ekipet e kampionatit të kategorisë së parë në sezonin e ri futbollistik.
© shkodrasport.com