Pas ndeshjeve të luajtura të fundjavës që shkoi me të cilat u mbyll edhe faza e parë, kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj do të ndërpritet për dy javë me rradhë. Arsyeja është grumbullimi i ekipit tonë kombëtar për ndeshjet eliminatore që ai do të zhvillojë. Takimi i rradhës për Vllazninë do të jetë ai që do të zhvillojë më datë 28 nëntor në Durrës ndaj Teutës.

Kjo periudhë dyjavore pritet t’i shërbejë për mirë ekipit shkodran e këtë e pohon edhe kapiteni Berdica i cili po ashtu bën të ditur edhe për objektivin që do të ketë skuadra këtë sezon. “Pretendimet tona po rriten nga java në javë sepse po paraqitemi shumë mirë në ndeshjet e zhvilluara. Edhe ndaj Tiranës e treguam këtë gjë. Kjo periudhë ndërperje kampionati do të na shërbejë për mirë sepse do të rritemi edhe më shumë fizikisht dhe do të jemi më të fortë në takimet e ardhshme. Objektivi është i qartë, për të synuar vendin e dytë megjithatë për momentin rëndësi ka që të sigurojmë katërshen dhe plej-ofin”- është shprehur numri 9 i kuqebluve.

© shkodrasport.com