Stefan Cicmil jep sinjale rikthimi te Vllaznia. Në profilin e tij në Facebook, mbrojtësi malazez ka postuar një foto me fanellën e Vllaznisë gjatë kohës që ishte pjesë e skuadrës shkodrane.Komentet në këtë postim të Cicmil kanë qenë të shumta, teksa tifozët i kanë kërkuar rikthimin te kuqeblutë.

 

I kontaktuar nga redaksia e “Vipsport.al”, qendërmbrojtësi 27-vjeçar ka konfirmuar se mund të rikthehet te Vllaznia, por: “Kam një kontratë me skuadrën malazeze të Mladost Podgorica. E dashuroj Vllazninë! Kalova dy vite të mrekullueshme te ajo skuadër. Ndoshta kthehem një ditë, të shohim”, shprehet Cicmil.
Qendërmborjtësi shtatlarte u largua në merkaton e verës nga Vllaznia, pas polemikave me ish-trajnerin Armando Cungu. Ky i fundit e akuzoi në mënyrë gati direkte për humbjen kundër Skënderbeut me rezultatin 4-3, përballje e fazës së 4-t gjatë sezonit të shkuar. “Cicmil nuk është aktivizuar që në janar prej këtyre gabimeve dhe episodeve që krijon, ashtu sikundër sot ndaj Skënderbeut. Por sot isha i detyruar ta fusja në fushën e lojës. Nuk mund të flas më tepër, por me kaq gabime nuk mund të jetë më pjesë e klubit”, u shpreh Armando Cungu pas ndeshjes kundër Skënderbeut më datë 7 maj 2017.Por, tashmë Cungu nuk është më pjesë e Vllaznisë, pasi është larguar nga posti i trajnerit që mbante në këtë ekip. Për Cicmil, largimi i Cungut nga kuqeblutë nuk përbën lajm, madje “e injoron”, teksa pyetet nga redaksia e “Vipsport.al” se cili është mendimi i tij për ish-trajnerin shkodran.

Cicmil: Kush është Cungu?

Vipsport: Ish-trajneri i Vllaznisë. Nuk ju kujtohet?!

Cicmil: Aaa, po, po. Ernest Gjoka është tashmë trajneri i Vllaznisë dhe është një trajner i shkëlqyer.

Vipsport: Në fakt, ish-trajneri Cungu iu bëri fajtor për humbjen kundër Skënderbeut gjatë sezonit të shkuar…

Cicmil: Nuk dua të flas për atë njeri!

Vipsport: Mos ndoshta largimi i Cungut është një motiv që ju shtyn të mendoni rikthimin te Vllaznia?

Cicmil: Shiko, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin shkodran, por edhe me tifozët e Vllaznisë. Është një klub i madh. Por, për momentin jam në kontratë me Mladost Podgorica…

Vipsport: Pas largimit nga Vllaznia, a patët kontakte me ndonjë klub tjetër të Superligës?

Cicmil: Jo, jo me asnjë.