Me barazimin kundër Tërbunit, Besëlidhja e vuri në pikëpyetje ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë. Ndonëse javën e fundit e kanë pushim, lezhjanët do të mbeten në ethet e rezultatit të ndeshjes së fundit të Valbonës.

Kjo, gjithnjë nëse ata do ta fitojnë sfidën e sotme në transfertë kundër Gramshit. Sido që të shkojnë punët, trajneri Dritan Smajli do të kërkojë vetëm fitore nga Besëlidhja.

“Në Gramsh luajmë ndeshjen e fundit të sezonit. Unë kërkoj nga ekipi që të mobilizohet fortë për të fituar. Kjo është detyra dhe mundësia jonë e fundit në fushën e blertë. Ndërsa në letra mbetemi ‘rob’ të fatit deri në fund të sezonit.

Sido që të shkojnë punët, ne po mendojmë seriozisht për ndeshjet e ‘play off’-it, që është shansi i dytë që na jepet. Duke e ditur rëndësinë e ndeshjes, ekipi është mobilizuar nga të gjitha drejtimet dhe jam i qetë përballë Gramshit”, tha trajneri Smajli.