Superiorja është pushim sot, por luhet futboll edhe në Kategorinë e Parë. Në Grupin A, Besëlidhja ka mundësinë të ngushtojë diferencën me Kastriotin, që sot nuk luan për shkak se në program kishte përballjen me Shkumbinin e përjashtuar nga gara.

Lezhjanët do tentojnë të marrin pikët maksimale ndaj Tërbunit dhe morali është shumë i lartë në skuadrën e drejtuar nga Elvis Plori, pasi në mesjavë mposhtën Partizanin në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.

Në program për sot në këtë grup janë edhe dy përballje të tjera. Në Peshkopi luhet një ndeshje mjaft interesante, teksa Korabi pret Burrelin e mbetur pa trajner pas largimit të Alert Alcanit. Takimi tjetër i kësaj jave është ai mes Egnatias dhe Veleçikut. Vendasit janë të detyruar të marrin maksimumin në këtë përballje shtëpiake.