Të dielën në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja Vllaznia- Laçi e vlefshme për javën e 13-të të Superligës shqiptare. Padyshim që konsiderohet një takim i vështirë sepse të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren, madje kurbinasit mund të jenë të kënaqur edhe me barazimin por jo shkodranët. Atyre u bën punë vetëm fitorja. Kuptohet që futbollistët dhe stafi dëshirojnë të kenë pranë sa më shumë tifozë kuqeblu dhe në çdo dalje publike të tyre u bëjnë thirrje për t’i mbështetur në shkallët e stadiumit por këto thirrje shpeshherë nuk kanë vlejtur.

Arsyeja kanë qenë zhgënjimet e herëpashershme që u ka dhuruar Vllaznia. I fundit ndaj Tiranës për kupë që ka ftohur dëshirën e tifozëve për ta mbështetur këtë skuadër. Një tjetër problem që i bën tifozët të mos jenë të pranishëm në stadium është moslejimi nga ana e policisë për mbajtjen e çadrave që nuk lejohen ngaqë konsiderohen sende të forta. Por në një ndeshje ku bie shi dhe pa çadër, është diçka që nuk shkon. Për këtë arsye, ata tifozë që duan të jenë të pranishëm nesër në stadium duhet së pari të lusin Zotin për të qenë kohë e mirë ose për të blerë ndonjë mbulesë të posaçme për të mos u lagur. Nga ana tjetër, klubi shkodran ka njoftuar se shitja e biletave ka filluar që ditën e shtunë dhe çmimet e vendosura nga Federata (institucioni që vazhdon ta administrojë këtë stadium) janë 2 mijë, 5 mijë dhe 10 mijë lekë. Sportelet do jenë të hapura sërish që në orën 09.00 të paradites të së dielës.

© shkodrasport.com