Faza e dytë e kampionatit ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Vllazninë e basketbollit të meshkujve. Ajo është mundur lehtësisht brenda në Shkodër nga “Goga Basket”

Ndeshja nuk ka nisur aspak mirë për ekipin shkodran që vetëm në minutën e pestë ka arritur të shënojë pikët e para. Nga ana tjetër durrsakët e shfrytëzuan këtë gjë, kaluan në avantazh dhe e ruajtën atë deri në fund të periodës së parë që u mbyll 28-11 në favor të Goga Basket.

E njëjta situatë edhe në periodën e dytë që mbyllet në shifrat 43-28. Skuadrat shkojnë në pushim me një diferencë prej 15 pikësh në favor të miqve.

Tifozët shkodranë të pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” kishin ende shpresë për një përmbysje të situatës në periodën e tretë dhe të katërt por nuk ndodhi kështu.

E treta do të mbyllej me rezultatin 72-49 ndërkohë që 10 minutat e fundit të ndeshjes nuk dhurojnë asgjë tjetër përveçse siglojnë humbjen e Vllaznisë në shifrat 76-90.

Një humbje që tregoi se edhe blerjet e reja të bëra nga drejtuesit kuqeblu nuk po rezultojnë ashtu si duhet, të paktën në këtë ndeshje.

Një humbje që rëndon edhe më shumë pozitat e Vllaznisë në renditje sepse mban sërish vendin e fundit ndërkohë që Goga Basket vazhdon të kryesojë duke mbajtur vendin e parë edhe pas javës së 11-të të kampionatit.
© shkodrasport.com