Gjeografia e futbollistëve shkodranë nëpër botë shtohet gjithnjë e më shumë. Ai për të cilin “Shkodra Sport” do të shkruajë sot është futbollisti 18 vjeçar Brandon Gjekaj. Ai vërtetë ka lindur dhe është rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por lidhjen me Shqipërinë i ka shumë të forta, falë edhe prindërve të tij të cilët janë nga Shkodra dhe i kanë ushqyer gjithmonë dashurinë për këtë vend.

Brandon është një futbollist i cili po spikat në kontinentin amerikan si një sulmues- goleador dhe e ardhmja duket se do të flasë për të. Ai është i datëlindjes 2004 dhe konsiderohet një talent falë dhuntive me të cilat ka lindur, por edhe punës së madhe që bën çdo ditë në stërvitje. Pasioni i tij për futbollin dhe dëshira për të ecur përpara e kanë bërë atë të evidentohet nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij me të cilët luan në New Jersew.

Ka nisur të merret me futboll që në moshë të vogël, fillimisht me ekipin e shkollës dhe më pas me disa skuadra polake të zonës. Ka ndodhur kështu kur ishte vetëm 7 vjeç. Falë edhe mbështetjes së pakursyer të dy prindërve të tij, ai sot është një nga emrat më të lakuar nga mediat amerikane në futbollin e moshave.

Madje pak ditë më parë emri i tij është përmendur jashtëzakonisht shumë në media pikërisht për dy golat e shënuar në “Red Bull Arena”, stadium ky me kapacitet 25 mije vende dhe ndër më të mëdhenjtë e Amerikës Veriore.

Brandon Gjekaj ishte pjesë e formacionit të Becton në këtë ndeshje ndaj Wood Ridge ku arriti të shkëlqente me golat që mbajnë firmën e tij dhe duke i dhënë fitoren ekipit të tij me rezultatin 2-1. Të parin e shënoi me 11-metërsh, ndërsa të dytin në minutat e fundit të ndeshjes shtesë. I riu shqiptar ia arriti të shkëlqejë në atë stadium ku më parë kanë luajtur ekipe të mëdha si Bayern, Juventus, Manchester, Arsenal etj.

Sulmuesi me origjinë nga Shkodra është pika më e fortë e Becton, nderkohe qe eshte trajnuar edhe tek SC Vistula, ekip ky i themeluar nga emigrantë polakë në SHBA shumë vite më parë. Madje jo vetëm kaq pasi drejtuesit e ketij klubi i kanë besuar përvojës dhe talentit të Brandon, i cili disa herë në javë është edhe trajner për moshat e vogla, duke i dhënë një tjetër dimension talentit të tij.

Pavarësisht se jetën përtej Atlantikut, Brandon por edhe shumë talente të tjera me origjinë shqiptare, duhet të jenë në fokusin e ekipeve kombëtare shqiptare. Aq më shumë, kur Brandon Gjekaj jo vetëm është krenar që është shqiptar, por edhe e tregon atë në çdo moment të jetës, brenda e jashtë fushës së blertë. Një lojtar që e njeh mjaft mirë portën kundështare, ka një gjuajtje të jashtëzakonshme me të majtën dhe garanton gjithmonë gola në fushën e lojës.

Sektori i ekipeve kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit sigurisht që duhet t’i hedhë sytë drejt këtij talenti i cili mund t’i shërbejë shumë kombëtares shqiptare. Dhe në fakt, Brandon Gjekaj do ta bënte me shumë dëshirë këtë gjë sepse jo vetëm është krenar që është shqiptar, por edhe e tregon atë në çdo moment të jetës, brenda e jashtë fushës së blertë.

Padyshim që ai e meriton një ftesë në zboret stërvitore të rradhës, për t’i dhënë mundësinë që të tregojë vlerat e tij sportive dhe me siguri që nuk do të zhgënjehen sepse çdo ditë e më shumë po shkëlqen me talentin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjergj KOLA

Më poshtë keni shkrimet e disa mediave amerikane në lidhje me shkëlqimin e Brandon Gjekajt pak ditë më parë në një ndeshje shumë vendimtare të kampionatit të moshave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

https://news.yahoo.com/thriller-red-bull-arena-becton-012106216.html

https://www.nj.com/highschoolsports/2022/10/gjekajs-dream-goal-propels-becton-past-rival-wood-ridge-at-red-bull-arena.html?outputType=amp