Ditët e fundit nuk kanë qenë të mira për Mjeshtrin e Madh, këngëtarin e mirënjohur Bujar Qamili. Ai ndodhet në Itali por gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë e mirë si pasojë e disa shqetësimeve që ka patur në veshka dhe si rrjedhojë ka qenë i shtruar në njërin nga spitalet e këtij vendi.

Për fat, tashmë shëndeti i tij ka ardhur duke u përmirësuar dhe mbrëmjen e djeshme ka dalë nga spitali dhe ndodhet pranë familjarëve të tij.

Interesant është fakti se dalja e tij nga spitali ka përkuar me ndeshjen e sotme Tirana- Vllaznia, të cilën tifozi i zjarrtë kuqeblu e ka ndjekur me vëmendje dhe sigurisht që është gëzuar për barazimin e arritur dhe kryesimin me meritë të renditjes nga ana e skuadrës shkodrane.

Lajme këto që e kanë bërë njeriun që i ka kushtuar dy këngë Vllaznisë të ndjehet më mirë dhe këto ia ka konstatuar edhe një mikut të tij, presidentit të Vllaznisë së femrave Lazer Matija, me të cilin ka patur një bisedë të gjatë telefonike mbrëmjen e sotme.

“Për fat të mirë, gjendja shëndetësore e Bujarit tashmë ishte më e mirë dhe ai e ka kaluar atë momentin e vështirë që ka patur, por ky njeri nuk mund ta heqë mendjen kurrë nga Vllaznia, skuadrës e tij e zemrës. Më shumë kohë kemi folur për ecurinë dhe sukseset e deritanishme të kësaj skuadre sesa për shëndetin e tij.

Ai më premtoi se shpejt do të jetë në Shkodër për ta ndjekur Vllazninë nga afër dhe pse jo, për t’i kushtuar një këngë të re Vllaznisë në verë, nëse ajo do të shpallet kampione e Shqipërisë”- ka deklaruar për “Shkodra Sport” presidenti i ekipit të Vllaznisë Lazer Matija.