Bayern Munich i ka mjaftuar vetëm një gol në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme kundër skuadrës së vendit të fundit Koln, një takim që është luajtur në “Allianz Arena” dhe që ka qenë i vlefshëm për javën e 16-të të kampionatit gjerman. Bayern, pas kësaj fitoreje, kryeson kampionatin me 38 pikë. Ndërkohë, miqtë, që mbajnë vendin e fundit në renditje, kanë pësuar humbjen e 13-të në Bundesliga dhe vazhdojnë të jenë skuadra e vetme që nuk ka marrë asnjë fitore në këtë kampionat.

Goli i ndeshjes është realizuar nga Lewandowski në minutën e 60-të. Sulmuesi polak kryeson renditjen e golashënuesve me 15 realizime. Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të luajtura sot në kampionatin gjerman, Schalke ka arritur të marrë një fitore 3-2 në minutat e fundit kundër Augsburg. Vendasit kanë shpërdoruar një avantazh prej dy golash, por shtatë minuta para fundit kanë realizuar golin e fitores me një penallti të Caliguri. Kjo ka qenë fitorja e parë në kampionat pas tre barazimesh radhazi për “Blutë”, që tani mbajnë vendin e dytë në klasifikim.

Ka marrë një fitore edhe skuadra e Bayer Leverkusen, që ka mposhtur 1-0 në shtëpi ekipin e Werder Bremen. Me këto tri pikë, skuadra e aspirinave është ngjitur në vendin e katërt të renditjes, me 27 pikë, një më shumë se Hoffenheim, që ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Stuttgart. Në fund, Hertha e Berlin ka marrë një fitore bindëse 3-1 në shtëpi kundër Hannover.