Bylisi synon që kthesën e fitoreve ta nisë nga sfida që luan të shtunën në Ballsh dhe në kampin e skuadrës mallakastriote janë optimistë. Lojërat e bukura të skuadrës të japin bindjen se ballshiotët nuk kanë frikë të përballen me asnjë ekip si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Vangjel Zguro është një nga afrimet e janarit në Ballsh dhe pogradecari është nga lojtarët me më shumë eksperiencë në radhët e Bylisit. Zguro është një lojtar me shumë energji në linjën e majtë, ndërsa edhe në difensivë falë eksperiencës ka bërë mirë në Ballsh.

Mallakastriotët duket se nuk kanë ndër mend që të ulin ritmin dhe do të synojnë që të marrin 3 pikët në takimin e radhës në shtëpi ndaj Teutës që e janë afër në renditje dhe do të synojnë rokadën. Në prononcimin që ka dhënë për “Panorama Sport”, anësori nga Pogradeci është optimist, por ai me eksperiencën e tij kërkon që të mbajë me “këmbë në tokë” skuadrën e tij.

“Po kush e ka parë Bylisin s’ka dyshim dhe nuk besoj të mos mendojë që jemi më lart se 2-3 skuadra që janë mbi ne dhe ne nuk i meritojmë këto pozita. Por faktet janë ato që të prishin punë, sepse për lojë kemi luajtur dhe dominuar, sidomos në këtë pjesë të dytë të garës. Problem ka qenë goli, por më shumë çështje fati, sepse të krijosh në çdo sfidë 4-5 raste flagrante jo sporadike e të mos fitosh kjo është për të ardhur shumë keq.

Gjithsesi, ne do të guxojmë, sepse kalendari na ka rezervuar sfida që me ekipet e mbijetesës i luajmë në fushën tonë. Duke nisur që nga Teuta këtë fundjavë. Do të japim shpirtin në fushë, të gjithë se bashku dhe më të bashkuar se kurrë. Madje, u bëj thirrje edhe tifozëve ballshiotë. Jemi të respektuar në këtë qytet dhe kemi ardhur që t’i shërbejmë futbollit, por përpos kaq i detyrohemi shumë presidentit Besnik Kapllanaj dhe familjes së tij, që kanë bërë dhe po bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për Bylisin në elitë. Kemi kushte shumë të mira.

Prandaj ne na duhet që ta fitojmë këtë ndeshje patjetër dhe pastaj të bëjmë llogaritë ndryshe. Bylisi në fushën e vet ka mundur çdo ekip dhe Teuta nuk është më lartë se ne, këtë e kemi treguar në përballjet e këtij sezoni. Kështu që të shtrëngojmë dhëmbët dhe të marrim me besim të plotë 3 pikët në sfidën e së shtunës”, tha Vangjel Zguro, anësori i Bylisit.

Zguro ka besim te mbijetesa teksa në fund shton: “Futbolli luhet në fushë dhe dua të them që është shumë gjynah që një skuadër si e jona të diskutohet për mbijetesën. Jemi një grup shumë cilësor me kualitet dhe cilësi, e kështu që ne duhet të bëjmë më të mirën. Ndaj duke nisur që nga Teuta nuk duhet që të mendojmë më barazimet, ato që kanë ikur, por fitoret. E respektojmë si kundërshtar, por se kemi frikë aspak”, tha Vangjel Zguro në prag të sfidës me durrsakët.