Dorian Bylykbashi, ish-kapiteni i Partizanit, është i bindur se të kuqtë e merituan plotësisht suksesin në derbi. Në një intervistë për “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ai ka theksuar se ekipi i Kolelës kishte bërë gjithçka mirë.

Njëkohësisht, ai lëshoi një thumbim në distancë ndaj trajnerit të bardhebluve, Orges Shehi, i cili deklaroi pas sfidës se të kuqtë kishin triumfuar falë episodeve pasi nuk kishin pasur raste para portës.

“Për mendimin tim, derbi i djeshëm ishte një nga derbit më të bukur të kohëve të fundit, në fushë dhe sigurisht në tribuna ku në të dy rastet ishin fitimtarë. Për mendimin tim çunat e kishsin përgatitur ndeshjen në mënyrë perfekt, e kisha thënë edhe më parë që Partizani duhet të jetë te pjesa e grupit, nuk ka kualitete te veçanta, por në çdo moment duhet të jetë pjesa e grupit që mbizotëron te Partizani.

Besoj se të gjithë panë që ishte një rezultat i pastër 2-0, u humb një penallti dhe ishte një shtyllë e Matondos. Nuk e di ku e gjejnë të drejtën disa, nuk them për pjesën e tifozerisë, që të thonë sa herë erdhi Partizani në portë. Partizani bëri dy gola, një shtyllë dhe një penallti të humbur, nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë Partizani. Në çdo moment ishim fitimtarë në duele dhe mendoj se e supermerituan djemtë se kanë bërë një ndeshje fantastike.

Ku gaboi Tirana? Pse të mos themi që Partizani nuk e la në asnjë moment që Tirana të arrinte në nivelin ku dëshironte të ishte. E kam thënë edhe më parë që Tirana ka k superkualitete. Nuk e di ku gaboi, por Tirana ishte shumë e mefshtë në sulmet e saj. Që të mendosh që ekipi kryesues të gjuajë vetëm një herë në portë… Rasti i vetëm i Tiranës ishte goli i anuluar pas pritjes së portierit Rexhepi, gjë tjetër unë nuk mbaj mend.

Mba edhe dje ishte ai lojtar që mbajti ekipin para, mbante topin, priste shokët. Ka bërë një ndeshje të mirë dhe goli i dha një besim në vetvete. Për një sulmues goli të jep besimin dhe qetësinë për të dhënë më shumë. Por Hadroj dhe Matondo dje kanë bërë një nga ndeshjet më të mira. I gjithë grupi ishte super, por këta tre dhanë diçka më shumë.

Pas kësaj fitoreje nuk është se ka shumë diferenca. Vendi i parë me të 7 lëvizin me pak pikë, është kampionat i ngjeshur. Të gjithë kanë bërë gabime, por shpresoj që Partizani të mos bëjë më dhe të ecë drejt titullit kampion. Por edhe Tirana dhe Vllaznia për mendimin tim janë aty-aty dhe besoj se këto janë tre ekipet që do të luftojnë deri në fund për titullin.

Situata e Kolela pas Vllaznisë? Nuk di arsyet që çuan Kolelën deri në atë pikë, por duke parë në ndeshjen e djeshme, çdo gjë është sheshuar. Ne flasim nga jashtë dhe unë mendoj se kanë një ekip shumë të mirë dhe një trajner i cili është shumë i mirë se përgatitja e tij çon ekipin në atë lloj niveli. Partizani ka pasur shumë oshilacione se këto janë lojtarët, ndryshuan nga ndeshja në ndeshje. Kanë ndoshta momente pasigurie e qetësie. Është edhe trajneri që duhet t’ia japë këtë çdo lloj lojtari.

Partizani duhet të shkojë deri në fund, ku e meriton, të fitojë titullin e ka vetë në dorë. Nuk ka pse të shohë a po gabion njëri apo tjetri, tani është në vend të parë. Pse të mos shpallesh kampion? Sigurisht, gabime edhe mund të ketë gjatë rrugës, por si Partizani, edhe Tirana dhe Vllaznia do gabojnë. Kush gabon më pak është fituesi dhe këtë besoj se do ta arrijë Partizani”, tha Bylykbashi në intervistën e tij.