Duhet të ishte sezoni i kurorëzimit të madh dhe bindjes së Elseid Hysaj është gati për të qenë lider te Napoli, por me ardhjen e Carlo Ancelottit duket se gjërat kanë shkuar si mos më keq për shkodranin.

Pikërisht trajneri që dikur hodhi sytë nga mbrojtësi kuqezi, kur drejtonte Bayern Munich, tashmë duket se ka marrë një vendim: ish-futbollisti i Empolit nuk është më i pazëvendësueshëm. Sfida e fundit ndaj Crvena Zvezdës në Champions ka vendosur vulën.

Trajneri axurr ka preferuar të hedhë në fushë si mbrojtës të djathtë një lojtar që ka mbuluar gjithmonë rolin e qendrës kudo ku ka luajtur. Po flasim për Maksimovic, ndërsa shkodrani është aktivizuar si rezervë në pjesën e dytë, pas pushimit. Hysaj mori vendin e Albiolit, duke kaluar në të djathtë, ndërsa Maksimoviç është kthyer në qendër, në pozicionin natyral.

Malcuit ka qëndruar pushim këtë ndeshje, por edhe ai shihet si zgjedhje e parë. Pra, tre lojtarë për një vend dhe situata që nis të bëhet disi e sikletshme për Hysajn. Këtë sezon, minutazhi i tij në fushë ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e shkuara te Napoli. Ancelotti preferon të ndryshojë, por merkato po luan një rol kyç.

Nga ajo që ka mësuar ekskluzivisht Telesport, presidenti De Laurentis është bezdisur nga kërkesa e agjentit Giuffredi për një rritje rroge të konsiderueshme. Negociatat kanë ngecur edhe për këtë arsye. Hysaj është zemëruar me Napolin që kur rinovoi fillimisht i kishin premtuar se do t’i jepnin mundësi të transferohej te Chelsea, nëse vinte një mundësi e mirë, por më pas gjithçka frenoi. Aktualisht, ai fiton 1,8 mln euro në sezon dhe ka kërkuar të paktën 3,2 mln euro për të firmosur kontratën e re. Një kërkesë që nuk është pranuar nga drejtori sportiv Giuntoli.

Nga këtu edhe zgjedhje te Ancelottit për ta lënë shumë herë jashtë. Madje, “Telesport” mëson nga burime të sigurta se prej thuajse një muaji Napoli është në kontakt për të siguruar zëvendësin e shkodranit, që tashmë duket i larguar dhe do të jetë vetëm çështje kohe.

Sarri komunikon me Hysajn shpesh dhe disa herë i ka premtuar se do ta marrë në Londër, por Napoli është kockë e fortë. Giuffredi dëshiron që në kontratën e re të hiqet edhe klauzola, por axurrët nuk pranojnë.

Por, cili është mbrojtësi që Napoli po punon në fshehtësi dhe Hysaj tashmë e di? Bëhet fjalë për një ide të vjetër të merkatos, që nuk ka qarkulluar shumë. Burime të sigurta për Telesport bëjnë me dije se bëhet fjalë për Stefan Lainer, mbrojtësi i krahut të djathtë te Red Bull Salzburg.

Titullar i kombëtares austriake dhe 26 vjeç, kampionët e Austrisë nuk e shesin më poshtë se 15 mln euro. Axurrët janë shtyrë deri në 10 mln euro dhe nuk duan të shpenzojnë, por të negociosh me një pronësi që paratë nuk i ka problem nuk është kaq e lehtë. Agjencia që kuron interesat e tij është e njëjtë me atë të Mërgim Mavrajt. Bëhet fjalë për arena11 sports group, e cila ndër të tjerë ka edhe Nabil Keita dhe Sadio Mane, yjet e Liverpool.

Ancelotti ka dhënë “ok” për shitjen e Hysajt, ashtu si edhe presidenti De Laurentis. Kalimi i Hysajt në Premier mund të vijë verën e ardhshme, pasi në janar vështirë të ndryshojnë gjërat, vetëm nëse Napoli bën skonto te blutë e Londrës, ose United i Mourinhos pranon të paguajë klauzolën./telesport/