Pas dy javësh vërtetë të komplikuara, ku humbi ndaj Liverpoolit, barazoi me West Brom dhe u eliminua nga Tottenham në Carabao Cup, Chelsea ia doli të reagojë dhe të rikthehet te fitorja, teksa mposhti Crystal Palace me shifrat 4-0.

Të besuarit e Franck Lampard vuajtën jo pak pasditen e sotme në “Stamford Bridge”, pasi Roy Hodgson kishte hedhur në fushë një skuadër që mbrohej me forca të shumta dhe nuk u lejoi hapësira bluve për të shkuar te goli.

Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 50’, kur pas një rrëmuje në zonë përfitoi blerja e kësaj vere, Ben Chilwell, që gjuajti saktë dhe shënoi, duke debutuar kështu me gol në ndeshjen e parë në kampionat me Chelsean.

Crystal Palace provoi të reagojë dhe arriti të shkojë disa herë kërcënueshëm në zonën e portës së mbrojtur këtë herë nga portieri Mendy, por në minutën e 66’ Chelsea gjeti edhe golin e sigurisë, me autor mbrojtësin Zouma, që kërceu saktë me kokë gjatë një goditjeje nga këndi dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Më pas në minutat 78’ dhe 82’ ishin fillimisht Abraham dhe më pas Havertz që fituan dy penallti, të cilat i ekzekutoi saktësisht mesfushori italo-brazilian Jorginho, duke vulosur suksesin e “bluve të Londrës” me rezultatin final 4-0.