Çiklisti I talentuar shkodran Bruno Kola ka fituar një tjetër kupë. Bëhet fjalë për kupën e vënë për një aktivitet të zhvilluar këto ditë në Tiranë ku kanë marrë pjesë sportistët më të mirë kadetë të të gjithë ekipeve të vendit. Ka qenë një etapë e zhvilluar në rrugën Tiranë- Elbasan, 60 kilometra e gjatë dhe në fund të saj, 15 vjeçari shkodran ka arritur të lërë pas të gjithë çiklistët e tjerë pjesmarrës duke u kurorëzuar në këtë mënyrë si fitues I kupës së vënë nga Federata Shqiptare e Çiklizmit. Ai ka zënë vendin e parë duke lënë pas dy rivalët e tij kryesorë, sportistët e Teutës Tafilin dhe Ballgjinin.

Për të ndjekur këtë garë kanë qenë të pranishëm edhe dy përfaqësues të Federatës Europiane të Çiklizmit të cilët kanë qenë në vendin tonë gjatë këtyre ditëve për të dhënë leksione për trajnerët e të gjithë ekipeve. Të dy këta përfaqësues kanë vlerësuar si shumë positive të dhënat e çiklistit të Vllaznisë Bruno Kola duke e evidentuar atë si një element me shumë të ardhme nisur edhe nga mosha e tij e re. Shumëkush në fakt e krahason atë me një Agim Tafil të ri megjithatë duket se është shumë herët për krahasime të tilla. E rëndësishme është që karriera e këtij sportisti ka nisur mbarë dhe këtë e tregojnë edhe kupat e njëpasnjëshme që është duke fituar.
© shkodrasport.com