I lumtur, i entuziasmuar por edhe i lodhur. I tillë është ndjerë paraditen e sotme trajneri i Vllaznisë në boks Zef Gjoni. Një natë më parë ai bashkë me ekipin që drejton, ka shkruar historinë e këtij sporti, të klubit që përfaqëson por edhe të vetën personale. Ka fituar titullin e 20-të kampion teksa ka qenë i pranishëm në çdo sukses të këtij rekordi dhe po asht i ka dhënë shumë Shkodrës. “Tashmë ndjehem më i çliruar. Kanë qenë emocione të mëdha dhe po ashtu ka patur brenda edhe shumë ankth sepse ndeshjet zhvilloheshin në Shkodër dhe nuk mund t’ia lejonim vetes humbjen. Gjërat besoj se shkuan sipas parashikimeve që unë dhe stafi im kishim bërë. E dinim që do të ishte shumë i vështirë fitimi i këtij titulli kampion sepse edhe ekipet e tjera ishin përgatitur siç duhet megjithatë thuajse 100 për qind doli ashtu siç e kishim menduar. Një sukses që na ka bërë të gjithëve ne krenarë”- ka thënë Gjoni për shkodrasport.com. Në rrëfimin e tij pas këtij suksesi, trajneri i Vllaznisë vlerëson shumë gjëra. Mbi të gjitha ndalet tek suksesi i boksierit 19 vjeçar Arjon Kajoshi dhe tek organizimi perfekt që i është bërë këtij kampionati. “Çdo gjë ka shkuar në mënyrën e duhur. Kampionati është organizuar në mënyrën më perfekte nga ana jonë dhe e klubit Vllaznia duke mos e zhgënjyer Federatën Shqiptare të Boksit që zgjodhi Shkodrën për zhvillimin e tij. Asnjë problem në ndeshje, ndërkohë që emocionet e natës finale ishin edhe më të mëdha nga skena e krijuar rreth ringut apo dhe nga këngët e Frederik Ndocit. Një meritë të madhe në këtë sukses tonin kanë edhe tifozët shkodranë. Ata na përkrahën jo vetëm ne, por kanë duartrokitur edhe kundërshtarët kur ata e kanë merituar fitoren. Kështu duhet të ndodhë vazhdimisht dhe kudo”- ka shtuar më tej trajneri shkodran. Suksesi i 20-të natyrisht që ka brenda edhe falenderimet për ata që kanë kontribuar në të dhe trajneri Gjoni ka gjetur kohë t’i thotë faleminderit të gjithëve. “Dua të falenderoj sportistët për përkushtimin çdo ditë në stërvitje dhe po ashtu edhe për sakrificën e bërë për arritjen e këtij suksesi e po ashtu edhe të gjithë trajnerët që kanë punuar pa u lodhur. Nuk mund të lë mënjanë edhe dy presidentët e ekipit tonë, Flamur Hoxhën dhe Gjergj Livadhin që na kanë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për përgatitje, e po ashtu edhe tifozët që na kanë mbështetur vazhdimisht. Fjalë të mira edhe për mediat që na kanë mbështetur dhe kanë bërë promocionin e duhur që pallati i sportit të mbushet në këto ndeshje finale. Për këtë arsye, ky titull i 20-të i shkon të gjithë atyre”- thotë më tej kryetrajneri Gjoni. 20 tituj kampion duket se nuk është basti i fundit i tij ndonëse e kishte premtuar një gjë të tillë kohë më parë. Tashmë Zef Gjoni premton se nuk do të heqë dorë nga puna e trajnerit deri në moshën 80 vjeçare dhe deri atëherë ai natyrisht që do të kërkojë të tjera rekorde. Një njeri që meriton shumë respekt e vlerësi dhe me siguri që të tillë vështirë t’i vijnë më sportit shqiptar.

Gjergj KOLA