Pjesë e një familje të lidhur ngushtësisht me futbollin, Çlirim Basha nuk kishte rrugë tjetër por të merrej edhe ai me futbollin. Ai ka lindur ne Shkoder me 5 shkurt 1991 dhe e pranon edhe vetë në një prononcim të bërë në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa ku ka folur për rrrugëtimin e tij në futboll.

“Si i thonë në Shkodër, nuk kam pasë nga të iki pa u ba futbollist sepse e gjithë familja është marrë me futboll. Duke filluar nga babai im, Xhoda që ndoshta nuk luajti dhe aq shumë, për të vazhduar me axhat e mi, Zyhdinë, Luftinë, Besimin por edhe Vehbinë.

Por përveç rrethit familjar, edhe ai shoqëror ka qenë i gjithë i lidhur me futbollin. Kemi luajtur shumë në lagje me të ndjerin Zamir Shpuza, të vëllanë Luanin, Shpresim Muratin që ka qenë portier por edhe të tjerë. Kemi qenë një brez i mirë i të rinjve që kishim lindur në vitin 1970 dhe çdo ditë luanim sëbashku nga 3, 4 por edhe 5 orë tek fusha e shkollës “Perlat Rexhepi”.

Kemi shumë video dhe fotografi e kujtime prej vitit ’88 me Vllazninë dhe ekipin e të rinjve e të moshave që me Selami Danin dhe Agim Medjen, Taip Piraniqin e Ismet Hoxhën, pra edhe atë moshën e re që prej moshës 7 vjeçarë e deri në vitin ’92 kur arritëm kulimin duke u shpallur kampion. Janë kujtime të përjetshme për ne dhe Vllazninë të cilën e kemi pasur në zemër e në shpirt”- thotë ish- mbrojtësi i djathtë i kuqebluve.

Çlirim Basha ka luajtur me Vllazninë në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 dhe arriti edhe të shpallej kampion me këtë skuadër në sezonin 1991- 92 dhe ai kujton:

“Kujtimet janë shumë të mira dhe me ekipin e parë, me brezin e artë të viteve ’80. Kemi pasur fatin të luajmë me Ferid Rragamin dhe Hysen Zmijanin, Ilir Kepin dhe Fasli Fakjen e me shumë e shumë emra të tjerë të mëdhenj, pastaj viti jonë kur dolëm kampionë më ’92-shin dhe ne kemi akoma nostalgji.

Ne dolëm kampionë në kampionatin më të vështirë ku bëmë rreth 20 ndeshje në fushë asnjëanëse, sepse ne kur luanim me Tiranën, Dinamon etj, i bënim të gjitha ndeshjet në Krujë apo dhe Durrës, kështu që ishte edhe shumë e vështirë për ne, se ndeshjet brënda në fushën tonë nuk mund t’i luanim aty për shkak të shkak të rregullores që nxotti Federata.Ishtë një kampionat shumë i vështirë por ne ia dolëm.

Ishin disa breza që akoma edhe sot mbesin kujtim, janë plot 28 vite dhe ka mbet akoma kënaqësi kur je kampion Shqipërie dhe pavarësisht që ishte ai brezi ynë i artë, por ishte edhe fati ynë i mirë dhe i keq që lamë Shqipërinë dhe dolëm në Evropë, plot 13 vetë dhe gjysma kemi luajtur edhe në futbollin profesionist gjerman. Ndoshta ishte fati i keq për Vllazninë që iu larguam aq shumë lojtarë, por edhe për ne ishte fat i mirë sepse na dha mundësinë të luanim në një futboll shumë të fortë por që e kishim ëndërruar gjithë jetën.

Por në nëntor të vitit 1992 pas një ftese të bërë nga skuadra e Hysen Zmijanit në Ajaccio të Korsikës në Francë, Çlirim Basha dhe 12 futbollistë të tjerë të Vllaznisë do merrnin rrugët e Europës. Shumica e tyre u vendosën në Gjermani, ku dhe vazhduan sportin.

“Kam ikur që vitin 1992 isha vetëm 21 vjeç. Fillimi ishte shumë i vështirë, por ne ia dolëm ndërkohë që ata që ishin moshë pak më e madhe si vëllezërit Gruda apo dhe Ardian Bushati, ishte e vështirë të përshtateshn me këtë lloj futbolli. Ne që ishim 21, 22, 23 apo dhe 24 vjeça dëshironim të arrinim diçka në karrierë. Normalisht që ishtë shumë e vështirë, sepse në atë kohë luanim vetëm nga tre lojtarë të huaj çdo ekip dhe pothuajse çdo ekip i kishte nga 4-5 të huaj.

Ishtë shumë e vështirë në atë kohë të çanim, megjithatë patëm fatin që të luanim dy vite rresht gjashtë shkodranë sëbashku tek FC Speyer, pikërisht me Ardian Bushatin, vëllezërit Gruda, Azizin dhe Bujarin, unë, Zamir Shpuza dhe Agron Lika. Në vitin 1995 pastaj u ndamë si grup. Shpuza shkoi tek ëaldoh Manheim në Bundesliga 2 dhe një vit më pas shkova edhe unë aty duke plotësuar kësisoj në njëfarë mënyre karrierën time duke luajtur edhe në futbollin gjerman”- thotë Basha.

Ai ka patur edhe fatin të veshë fanellën e kombëtares por për rrethana të ndryshme nuk arriti të luante shumë, megjithatë Çlirimi është i lumtur që realizoi një tjetër ëndërr të tij dhe prandaj shprehet:

“Sa i takon kombëtares, jam thirrur për herë të parë në vitin 1991 kur isha ende pa i mbushur 20 vjeç dhe stafi i kombëtares më mori në Greqi, në atë ndeshjen e madhe ku Shqipëria fitoi 2-0 me dy gola të Sokol Kushtës. Largimi nga Shqipëria dhe problemet e ambjentimit në Gjermani kuptohet që më krijuan shkëputjen por u riktheva sërish ndonëse duke mos luajtur shumë ndeshje. Megjithatë kam qenë pjesë e ekipeve kombëtare në 16 ndeshje dhe ndjehem i lumtur që kam veshur edhe fanellën kuqezi.
© shkodrasport.com