UEFA ka vendosur që më datë 23 të mbledhë përsëri për diskutime përfaqësuesit e lartë të federatave për të diskutuar për vijimësinë e sezonit aktual, por edhe vazhdimin e atij pasardhës.

Ndërkombëtarëve u duhet të rregullojnë edhe kalendarët e aktiviteteve të tyre e ndonëse u kanë dhënë përparësi kampionateve, kanë shumë afate që duhen respektuar për të siguruar që edicioni tjetër të mos ndikohet shumë rëndë.

Më datë 23, në video-konferencë do të jenë përsëri të gjithë sekretarët e përgjithshëm të cilët do të raportojnë për planet e vendeve përkatëse për rifillimin e sezonit dhe kur mund të dorëzojnë në UEFA emrat e skuadrave që marrin pjesë në Europë në edicionin pasardhës.

Ndërkohë, UEFA do të përcaktojë në bazë të kalendarëve të tyre edhe kur do të zhvillojë aktivitetet e saj, duke filluar nga ndeshjet e mbetura në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës për këtë edicion, për të vazhduar më pas me ato të edicionit të ri.

Ndërkohë, duhen riprogramuar të gjitha ndeshjet e shtyra ndërkombëtare të muajit mars, pasi janë play-off i Euro 2020 (Euro 2021 tashmë) e më pas ndeshjet e Ligës së Kombeve të këtij edicioni, sfida që me siguri do ngjeshen më shumë e mund të shtyhen një pejsë për vitin tjetër, duke ndikuar edhe kualifikueset e Botërorit 2022. /vipsport/