Marash Kumbulla do të luajë sot përsëri në Serinë A si titullar nën drejtimin e Zhoze Murinjos. Tekniku portugez nuk i beson shumë mbrojtësit shqiptar, por sot është i detyruar ta hedhë në fushën e lojës përballë Xhenoas në kampionat.

Shkak është bërë infektimi i dy lojtarëve të Romës nga COVID-19, pasi Kristante dhe Vijar kanë rezultuar pozitiv në testimet që u bënë dy ditë më parë nga klubi.

Si rrjedhojë, Murinjo është detyruar që të ndryshojë planet e tij për sfidën, teksa i ka besuar një vend në rreshtim Kumbullës, i cili në fakt nuk është në formën më të mirë të mundshme për shkak të problemeve fizike.

Ai u dëmtua në minutat e parë të sfidës ndaj Anglisë dhe nuk ishte i grumbulluar për duelin kundër Andorrës, duke zhvilluar stërvitje të diferencuar në klubin e tij deri të enjten pasdite. Por për shkak të kësaj situate, tashmë ai e sheh veten në planet e Murinjos, si një mundësi e mirë për t’i kthyer mendjen teknikut portugez.