Mesjava e ardhshme i jep fund luftës në Superiore sa i përket qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar.

Por mes Kamzës dhe Vllaznisë, në një kombinim mëse të mundshëm rezultatesh, në fund do të jetë dora e Sekretarit të FSHF ajo që do të përcaktojë se kush do të qëndrojë në elitën e futbollit shqiptar nëpërmjet hedhjes së një monedhe.

Nuk është një skenar i pamundur, është mëse i vërtetë dhe kombinimet që të arrihet në këtë pikë janë lehtësisht të realizueshëm në mesjavë.

Situata aktuale është e tille ku Kamza ka dy pikë avantazh ndaj Vllaznisë dhe një golavarazh 36-41 (-5).

Kurse shkodranët, përveç pikëve në disavantazh kanë edhe një golavarazh më të ulët 33-41 (-8).

Por çfarë ndodh nëse Kamza barazon pa gola me Partizanin dhe Vllaznia fiton 3-0 në Korçë?

Dy skuadrat mbyllin kampionatin me pikë të barabarta dhe për të përcaktuar renditjen fillojnë të aplikohen me radhë kriteret e vendosura nga rregulloret e FSHF për raste të tilla.

Skuadra kanë bilanc të njëjtë në ndeshjet direkte të këtij sezoni (nga një fitore secila dhe një barazim, golavarazhi i përgjithshëm 3-3), duke bërë të pavlefshme pikat ‘a’ dhe ‘b’.

Në eventualitetin e rezultateve të përshkruara më lart, edhe pika ‘c’ dhe ‘d’ bëhen të pavlefshme pasi të dy ekipet do ta mbyllnin me golavarazhin e njëjtë 36-41.

Kësisoj, në fuqi do të mbetej vetëm pika ‘e’ e rregullores, ajo që vendos në dorë të fatit se kush do të mbijetojë në elitën e futbollit shqiptar.

Sigurisht që do të ishte një shfaqje e rrallë, pasi rregullorja parashikon që Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, në prani të televizioneve, do të fitonte dy klubet për hedhjen e shortit me një monedhë, nga e cila do të vendosej se kush mes Kamzës dhe Vllaznisë do të qëndronte përsëri në Superiore. /vipsport/

Shënim: Situata e shortit përsëritet në çdo rezultat ku Vllaznia fiton me tre gola diferencë ndaj Skënderbeut dhe Kamza i përgjigjet me një barazim ku numri i golave të shënuar është i njëjtë me atë që kanë pësuar shkodranët (4-1 dhe 1-1, 5-2 dhe 2-2, 6-3 dhe 3-3, etj).