Çështja e bursave të solidaritetit olimpik në Shqipëri ka qenë gjithnjë temë e nxehtë, duke prodhuar shpeshherë debate të forta në komunitetin e sportit në vend për sa i përket kritereve të ndarjes së tyre. Ka pasur hije dyshimi në përcaktimin e shumave, me sportistë që renditen në vendet e fundit në gara, por që përfitojnë më shumë se medalistët botërorë.

Por ka edhe nga ata sportistë që ende nuk përfitojnë bursa nga fondi i solidaritetit olimpik edhe pse janë kampionë bote apo Mesdheu. Ky është rasti i mundësit Zelimkhan Abakarov, i cili shkroi historinë gjatë vitit 2022, duke shpallur për herë të parë Shqipërinë kampione bote në mundje. Pa harruar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare, që u mbajtën në Algjeri, apo paraqitjet fantastike në turne të ndryshëm. Megjithatë këto arritje nuk i kanë mjaftuar mundësit çeçen të natyralizuar me pasaportë shqiptare që të përfitojë bursë.

Këtë shqetësim e ka ndarë me gazetën edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” bën të ditur se FSHM-ja prej më shumë se dy muajsh ka bërë kërkesë drejt Komitetit Olimpik që Abakarov të përfitojë bursë, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Jemi një federatë që i kemi sjellë vendit rezultate të jashtëzakonshme, duke fituar medalje në Botërorë, Europianë, në Lojëra Mesdhetare, në Lojëra Islamike dhe në turne të ndryshëm të rëndësishëm ndërkombëtarë. Por kjo me sa duket nuk ka mjaftuar që të marrim mbështetje dhe vlerësim. Edhe pse kanë kaluar mbi 2 muaj nga kërkesa jonë që kampioni i botës, Zelimkhan Abakarov, të përfitojë bursë, ende nuk na është kthyer asnjë përgjigje.

Bëhet fjalë për sportistin më të mirë që ka sot për sot Shqipëria. Ndërsa nga ana tjetër shikojmë sportistë që nuk kanë zhvilluar gara fare, apo të tjerë pa rezultate dhe përfitojnë bursa nga 1100$, 900$ apo 800$. Pra marrin shuma më të mëdha edhe se një tjetër kampion i mundjes si Bajram Sina, i cili është medalist europian. Nuk e dimë se kush dhe si vendosen këto kritere për shumat, por ky është realiteti sot”, deklaron ndër të tjera Prizreni. Kreu i mundjes në fund zbulon se me vendim të Komitetit Ekzekutiv, Zelimkhan Abakarovit i është akorduar së fundmi vetëm një shumë prej 360 mijë lekë të vjetër si bursë për “Talentet e Reja” për periudhën janar-dhjetor 2023.