Ditën e sotme, janë luajtur katër sfidat e vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë së Dytë, të Grupit A. Kështu, Ada është ndeshur me Orikun dhe ka humbur 1-0, në ndeshjen e luajtur në transfertë.

Goli erdhi në minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa duhet thënë se trajneri Arbër Shytani në një komunikim me “Shkodra Sport” ka pakënaqësitë e tij në lidhje me arbitrimin e kësaj ndeshjeje dhe mënyrën se si u menaxhua ajo, teksa shprehet se ndeshja nuk do të mbyllej pa shënuar ekipi i Orikut, edhe sikur ndeshja të zgjaste edhe më shumë se deri në minutën e 100-të, që zgjati.

Për të kaluar tek ndeshja, trajneri i Adës, Arbër Shytani e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Ndoj, Hurmi, Nika, Ferhati, Narkaj, Hasaj, Çoku, Keshtejaku, Haxhija, Becina dhe Rrasa. Ndeshja ka qenë e bukur dhe pjesa e parë është shoqëruar me një lojë të barabartë të të dy skuadrave.

Rezultati i 45-minutave të para, ka qenë i barabartë 0-0. Edhe në pjesën e dytë, Ada ka luajtur përgjithësisht mirë, por është ndëshkuar nga një gol i vetëm i ekipit të Orikut, gol ky që do ishte i vetmi i kësaj ndeshje, shënuar në minutat e fundit të ndeshjes.

Kështu, Oriku ka fituar me rezultatin 1-0 këtë ndeshje, ndoshta paksa edhe me ndihmën e gjyqtarit të takimit, i cili sipas trajnerit të Adës së Velipojës, Arbër Shytani, nuk e menaxhoi mirë ecurinë e ndeshjes. Poashtu, duhet theksuar se te Oriku janë ndëshkuar dy lojtarë me kartonë të kuq, mbrojtësi Gjinaj dhe mesfushori Çaushaj, ndërkohë edhe tek velipojakët me karton të kuq, u ndëshkua Keshtejaku.

Pas kësaj humbjeje, Ada e Velipojës renditet në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit, me 15 pikë. Ndërkohë, ndeshjen e rradhës ata do ta luajnë në shtëpi ndaj Bulqizës.

Maringlen ZHIVANI