De Biazi ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të 7 qershorit me Norvegjinë në Tiranë. Nëse ndihmësit e tij kanë zbritur në terren prej disa ditësh me pak lojtarë, ai e ka nisur misionin “Norvegji” me një konferencë për shtyp në mjediset e FSHF-së, ku ka zbardhur edhe emrat e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për ndeshjen më kyçe të kësaj fushate kualifikuese. Ajo që bie në sy në listën e bërë publike të martën në mesditë nga italiani i pankinës kuqezi ka të bëjë me faktin se në të bëjnë pjesë vetëm 18 futbollistë, prej të cilëve 2 janë debutues me kombëtaren: Jurgen Gjasula dhe Azdren Llullaku, ndërsa ka edhe një rikthim, që është Admir Teli. Shkodrani që luan në Azerbajxhan, nuk është i vetmi në këtë listë pasi pjesë e saj është edhe Armando Vajushi që luan me Liteksin në Bullgari.


Madje mund të ketë edhe ndonjë tjetër në listën prej 8 lojtarësh që do të shpallet më 3 qershor, kur dhe do të kompletohet grupi në stërvitjet dhe grumbullimin disaditor që ka startuar në Durrës. Në këtë pjesë të dytë të listës bëjnë pjesë lojtarë, si Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Amir Abrashi. Për këta dy të fundit nuk mund të flitet me siguri se mund të luajnë ndaj Norvegjisë, për shkak se janë në pritje të hapjes së dritës jeshile nga FIFA-së për të luajtur me Shqipërinë. Duke shpalosur strategjinë e tij për kualifikuesen e 7 qershorit, De Biazi ka nënvizuar se do të ketë në konsideratë lojtarët më në formë për ta kaluar me sukses Norvegjinë. Ai ka përsëritur se ka nën vëzhgim rreth 40 lojtarë, nga të cilët do të përzgjedhë në bazë të formës me klubet e tyre më të mirët, në funksion të llojit të ndeshjes dhe kundërshtarit. “Për ndeshjen me Norvegjinë kam afruar ata lojtarë që janë në formën më të mirë fizike, kur dihet se jemi në fund të kampionateve dhe lodhja e një gare të gjatë ka bërë të vetën. Po ashtu, në përzgjedhjen e lojtarëve marr parasysh edhe ato karakteristika që duhen te skuadra për ta përballuar kundërshtarin. Në lidhje me formacionin që do të paraqesim në fushën e lojës më 7 qershor, duke ditur se kemi disa mungesa të rëndësishme.
Ndeshja Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2014, do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 20:30. Kuqezinjtë renditen të tretët në Grupin E, në kuotën e 9 pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani, aq sa ka edhe Islanda. Grupin tonë e udhëheq Zvicra e me 11 pikë. De Biazi ka theksuar që ndeshjet duhen marrë një e nga një. “Të gjithë duam Brazilin, edhe unë e dëshiroj shumë, por s’mund ta mbajmë mendjen atje, kur ne jemi ende në mes të rrugës. Sepse nëse nuk ecim ndeshje pas ndeshje dhe humbim ndonjërën, do kemi shumë zhgënjim. Prandaj dua qetësi dhe të rrimë me këmbë në tokë…” – ka thënë ndër të tjera trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi.
Ja dhe lista e lojtarëve të publikuar:
1.Samir Ujkani – Chievo
2.Etrit Berisha – Kalmar
3.Orges Shehi – Skenderbeu
4.Admir Teli – Qaraback
5.Debatik Curri – Genclebirligi
6.Mërgim Mavraj -Greuther Furth
7.Renato Arapi – Skenderbeu
8.Tefik Osmani – Teuta
9.Armend Dallku – Vorskla
10.Jurgen Gjasula – Duisburg
11.Migjen Basha – Torino
12.Ansi Agolli – Qaraback
13.Armando Vajushi –Litex
14.Ervin Bulku – Sepahan
15.Sabien Lilaj – Skenderbeu
16.Azdren Llullaku – Gaz Metan
17.Erjon Bogdani – Siena
18. Edgar Çani – Catania