Ish-mesfushori i Laçit, Regi Lushkja, ka debutuar mbrëmjen e sotme me fanellën e Sherif Tiraspolit në kampionatin moldav.

Futbollisti kavajas, u hodh në fushë në minutën e 70-të, në duelin ndaj Milsam, ku kampionët në fuqi të Sherifit triumfuan me rezultatin 1-0.

Një fitore e rëndësishme kjo për skuadrën e Lushkjas, përballë një rivali direkt. Golin që vendosi duelin e shënoi sulmuesi Traore në minutën e 60-të të sfidës.

Për sa i përket mesfushorit shqiptar, 25-vjeçari zuri vendin e futbollistit Nikolov. Një paraqitje pozitive kjo për Lushkjan, që e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën tek kampionët në fuqi të Moldavisë.

Me triumfin e sotëm Sherif Tiraspol, u ngjit në kuotën e 47 pikëve, plot 5 më shumë se Petrocub i vendit të dytë që ka dhe një ndeshje më shumë.