Një mallkim që i përndjek apo vetëm një rastësi, është vështirë të përcaktohet. 11-ta është kthyer në makth për zikaltrit, të cilët janë apo jo supersticiozë, duhet të pranojnë se kur 11-ta përdoret për të treguar vitet pa trofe, statistika nuk mund të kalohet pa u vënë re. Që prej titullit të 2010- ës deri te Skudeto e 2021-shit kanë kaluar plot 11 vite, aq sa kanë kaluar nga triumfi i fundit i Interit në Kupën e Italisë, që përkon edhe me finalen e fundit të luajtur nga zikaltrit në këtë kompeticion.

Që prej asaj finaleje maji të 2011-ës, zikaltrit nuk i kanë shkuar asnjëherë deri në fund kompeticionit, edhe pse edhe për këtë ekziston ngushëllim, sepse siç thuhet mes tifozësh ndonjëherë finalet është më mirë të mos i luash se t’i humbasësh.

Por për një skuadër si Interi nuk është normale që ecuria të jetë kaq negative, aq më tepër kur i shkojnë dhe katër gjysmëfinale radhazi të humbura, por duhet thënë asnjëherë kundërshtar nuk ka qenë Milani. Tani zikaltrit mund t’i gëzohen faktit se “zakoni” e do që në vitin e 12-të, skuadra fiton një trofe, e nëse finalja dhe Kupa e Italisë do të kalojnë nga derbi, kënaqësia do të jetë e dyfishtë.

STATISTIKAT – Përballja e sotme Milan-Inter do të jetë e 26-ta në Kupën e Italisë mes tyre dhe i 231-ti derbi i Milanos në të gjitha kompeticionet. Në Kupë, kuqezinjtë numërojnë 10 fitore, kundër 8 të zikaltërve, ndërkohë që 7 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

– Interi ka shënuar në të 9-ta ndeshjet e fundit kundër Milanit në të gjitha kompeticionet, duke fituar 6 prej tyre dhe duke arritur 1 barazim dhe 2 humbje.

– Milani është i pamposhtur në 7 nga 8 ndeshjet e fundit përballë zikaltërve mes Kupës së Italisë, Champions League dhe Superkupës së Italisë (4 fitore, 3 barazime). Në takimet e Kupave, kuqezinjtë humbasin vetëm 27% të përballjeve ndaj Interit, ndërkohë që në kampionat humbasin 38% të tyre.

– 11 nga 17 ndeshjet e para të Milanit në gjysmëfinale kanë përfunduar barazim, duke fituar 2 dhe humbur 4.

– “Djalli” do të luajë një derbi kupe me më shumë pikë se Interi në renditje për herë të parë që nga nëntori 2016. Në atë kohë kuqezinjtë e Montelës kishin 8 pikë më shumë se zikaltrit që drejtoheshin nga Pioli dhe përballja përfundoi 2-2.

– 8 golat e fundit të Interit në Kupën e Italisë janë shënuar nga lojtarë të ndryshëm. Vetëm Aleksiz Sançez ka arritur ta gjejë dy herë golin gjatë kësaj periudhe.

– Rafael Leao dhe Olivie Zhiru janë dy lojtarët e Serisë A që kanë shënuar më shumë gola në një stadium të vetëm, duke konsideruar të gjitha kompeticionet në 2022-shin: 6 me kokë në “San Siro”.