Ditën e sotme ka degjeneruar dhu.na në sfidën e luajtur mes Klosit dhe Elbasanit në Kategorinë e Dytë.
Sfida luhej në fushë asnjanëse të Shënkollit duke e bërë dhe më problematike sfidën. Elbasani gjen golin e avantazhit me anë të Mustafajt në minutën e 90-të të takimit, por këtu nis dhe nxehja e gjakrave.

Gjolena i Elbasanit ndëshkohet me karton të kuq dhe niset për të dale avash nga fusha. Kjo sjell nervozizëm te lojtarët e Klosit duke çuar në përplasje fizike. Sherri më pas përfundon në rrugë ku nga pamjet e siguruara nga ‘’Panorama Sport’’ shikohet se si degjeneron dhuna dhe jashtë fushe.

Më e keqja ishte se nuk kishte asnjë polic që të qetesonte situatën duke e bërë dhe më kritike gjendjen e cila për fat të mire përfundoi me ndërhyrjen e të dyja stafeve.

Një javë më parë ishte skuadra vendase e Shënkollit që u bë protagoniste duke krijuar një sherr masiv në ndeshjen me Orikun, me lojtarët e ekipit lezhjan që përfunduan në komisariatin e policisë.

Kjo nuk është hera e parë që degjeneron dhu.na në Kategorinë e Dytë këtë sezon, pasi dy javë më parë përplasje pati dhe mes Memaliajt dhe Albpetrolit.