Të shumtë kanë qenë futbollistët e Vllaznisë që gjatë periudhës së fundit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, por kryesisht kanë shfaqur probleme muskulare ose tërheqje. Në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, u diskutua edhe kjo problematikë që po kalon ekipi shkodran momentalisht.

I pranishëm në studio ishte edhe trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, që foli për gjendjen e të dëmtuarve, teksa shpreson që të gjithë këta futbollistë që kanë shfaqur probleme, të jenë të gatshëm për ekipin shkodran. Lekiqi u shpreh se realisht situata me dëmtimet nuk ka qenë aspak e mirë, ndërsa theksoi se me përjashtim të Latifit, të gjithë të tjerët do të kthehen që nga kjo javë.

“Po, është e vërtetë që situata me dëmtimet, nuk është e mirë. Aty ka një staf mjekësor që po punon ditë pas dite dhe të them të drejtën, ata janë më në kontakt me dëmtimet, por situata me dëmtimet është shumë komplekse, duhet të jemi koshientë.

Këtu ka të bëjnë edhe regjimi që t’i mban, mënyra se si e trajton veten para dhe pas një ndeshje. Pra, është në shumë komplekse dhe nuk mundem t’i hyj detajeve, por në momentin që ekipi nuk ka një bazë të mirëfilltë stërvitore, domethënë, ku sportistët mblidhen, bëjnë stërvitjen, flejnë, zgjohen dhe hanë aty. Në momentin që, kjo nuk është e mundur, nuk di t’ia vendos fajin askujt. Realisht, nuk di kujt t’ia vendos fajin. Ndoshta, edhe ngarkesa në momente të caktuara.

Besoj që javën që vjen mund të jenë 80% të këtyre që janë të dëmtuar, përveç Latifit ndoshta që do të marrin më shumë kohë, pasi dëmtimi i tij ka qenë shumë i rëndë dhe ka qenë i vjetër në kohë. Jonuzi është drejt rikuperimit, Kaina gjithashtu, Hakaj, Boshnjaku dhe Heriç ishin me ekipin këtë javë.

Besoj se situata është drejt normalizimit dhe shpresoj të mos kemi më situata të tilla, sepse realisht janë një dhimbje koke për të gjithë ne dhe sigurisht, atëherë krijohen edhe probleme fizike me futbollistët, që mbesin mbrapa në kohë. Shpresoj ta mbyllim shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi.
Maringlen ZHIVANI