Vllaznia U15 po bën mirë në kampionat dhe aktualisht ndodhet në vendet e para të tabelës së renditjes. Pavarësisht ndonjë hapi të gabuar të bërë deri tani, ecuria duket e mirë dhe ajo çka është më e rëndësishmja, përbërja që ka ky ekip premton për të ardhmen.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, njëri prej trajnerëve të tij, pikërisht Denis Zmijani do thoshte: “Objektivi i punës tonë është në rradhë të parë t’i mësojmë këto fëmijë të luajnë bukur futboll dhe nëse ndodh kjo, padiskutim që edhe rezultatet do vijnë”.

Numri 2 i këtij ekipi përmend edhe disa prej elementëve më të spikatur të tij teksa e nis nga portieri Jukaj e vazhdon me të tjerët për të cilët shprehet: “Aron Jukaj ka të dhëna të mira. Ka një shtatëlartësi të admirueshme dhe ka një përgatitje të mirë teknike, është portier që luan mirë edhe me këmbë. Ka disa defekte të vogla në dalje apo gjëra të tjera por që përmirësohen gjatë punës duke pasë parasysh edhe moshën e tij të re kuptohet që rregullohen.

Çdo repart ka elementë të spikatur e këtu mund të përmend Eskid Lumçin në mbrojtje. Luan në rolin e stoperit, është shumë luftarak, ka dëshirë por duhet të korigjohet pak në drejtim të agresivitetit në lojë, që në fakt është diçka e mirë por nuk duhet të jetë i tepërt, megjithatë edhe ai korigjohet. Eshtë një djalë që stërvitet rregullisht dhe uroj që atë bashkë me disa të tjerë t’i shohim në nivele të larta.

Kemi edhe lojtarë të tjerë si Tafili në mesfushë, apo dhe Zaganjori në sulm i cili është golashënuesi më i mirë jo vetëm i Vllaznisë por edhe i gjithë kampionatit. Zaganjori është një lojtar i mirë dhe në fakt edhe ekipet e mëdha vuajnë për një lloj të tillë futbollisti sepse edhe kur nuk është në një ditë të mirë, bën gola.

Shpresoj që ai dhe gjithë të tjerët të kenë një ecuri të mirë edhe në të ardhmen. Disa prej këtyre futbollistëve janë grumbulluar edhe në ekipet kombëtare megjithatë di të them se është bërë shumë pak në këtë drejtim. Edhe në vitet e kaluara, ka ndodhur që nga Vllaznia e vendeve të para të thirreshin dy apo tre futbollistë ndërsa nga një ekip i vendit të katërt apo pestë, thirreshin pesë- gjashtë lojtarë. Mendoj se nga Vllaznia U15 duhet të grumbullohen më shumë lojtarë dhe jo vetëm 3-4 sepse kemi të bëjmë me një grup lojtarësh cilësorë”.
© shkodrasport.com