Bledar Devolli, ish-trajneri i Dinamos ka rrëfyet në një prononcim në emisionin Rubrika Sportive në RTSH se çfarë ndodhi gjatë periudhës që ai drejtonte skuadrën blu.

“Më vjen keq, sepse më kanë bërë dëm psikologjik dhe professional, por nuk ka problem, koha do e tregojë. Nuk bëhem pishma për asgjë, prapë të njëjtën gjë do të bëja. I kam ndjekur ndeshjet e Dinamos, jam tifoz i saj, e kam drejtuar atë ekip. Më vjen keq që ndodhet në një situatë të tillë, sepse ka lojtarë të mirë, nuk e meritojnë”.

“Më larguan për mungesë rezultatesh, kjo ishte arsyeja. Në momentin që kam marrë ekipin, kam thënë se është shumë i mirë, prandaj e kam marrë. Sot nuk mund të them se nuk më pëlqente ekipi, sepse do të kundërshtoja veten. E them përsëri, të njëjtën gjë do të bëja, sepse ekipi ka cilësi. Po bënim futboll, po krijonim raste”.

“Italianët janë aktorë të bukur, gjejnë alibi edhe para edhe pas ndeshjes. Duhet të funksionojnë të gjitha hallkat, që rezultatet të vijnë. Njerëzit pranë skuadrës kanë ndikuar negativisht, duhen njerëzit e duhur për të bërë futboll. Nëse më jep një detyrë, më ler të punoj, të bëj punën ashtu siç di unë. Unë isha në një punë të mirë, në një klub të mirë, nuk erdha e u luta. Më kërkuan ndihmë dhe pranova”.

“Ishte një organizim i çorganizuar. Megjithatë, unë nuk po kërkoj justifikime, por flas me statistika, kemi bërë ndeshje shumë të mira. Më kanë bërë një dëm shumë të madh, 15 ditë e kam vuajtur shumë largimin. Unë e kam profesion, me këtë jetoj”.

“Përse duhet të punojë një trajner i huaj këtu, çfarë kanë më shumë se ne? Kam punuar në Kosovë dhe e kam provuar në kurriz këtë pjesë. Ishim 4 apo 5 trajnerë nga Shqipëria që kemi punuar atje, tani ka mbetur vetëm Ilir Daja. Shpresoj të dalë kampion që të vazhdojë”.

Për ecurinë e Tiranës – “Tirana ishte e fortë që në qershor, konfirmuan trajnerin, drejtorin dhe 70-80% të skuadrës. Bënë përforcime aty ku kishin nevojë. Është meritë e presidentit dhe komplet stafit, ja ku janë dhe frytet e punës, është shumë e thjeshtë. Edhe Laçi që mban vendin e dytë, është e njëjta situatë, konfirmoi grupin”.