Sherri vazhdon. Tifozët e Tiranës mësohet të kenë sulmuar pak minuta më parë, një grup tifozësh të Vllaznisë që kishin udhëtuar nga Shkodra drejt kryeqytetit për të mbështetur ekipin e basketbollit në ndeshjen finale të Superkupës. Është rikthyer dhuna në sportin shqiptar. Kësaj here jo brenda apo jashtë stadiumit, por në një pallat sporti, ku pritej të luhej një ndeshje finale basketbolli. Kaos, dhunë dhe tifozë të përgjakur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë në basketboll për meshkuj, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, është ndërprerë dhe përfundimisht dhe nuk dihet se kur do të luhet, të paktën për momentin. Kjo si pasojë e përleshjes së tifozërive, ku tifozët bardheblu kanë sulmuar ata miq të ardhur nga Shkodra.

Kjo ka ndodhur pa filluar ndeshja.Me të zbritur në tokë nga autobusi, fare pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, mësohet se një grup i madh tifozësh bardheblu kanë sulmuar 30-40 tifozë kuqeblu dhe kanë filluar t’i godasin me çfarë kanë patur në duar. “U gjendëm në befasi dhe të papërgatitur para një numri të madh, 400 apo 500 tifozësh kundërshtarë. Për koinçidencë, nuk pamë asnjë polic kund. Asnjë masë të marrë prej tyre dhe kjo ishte vërtetë e pabesueshme. Për rrjedhojë, disa prej nesh janë munduar të largohen por të tjerë kanë marrë edhe goditje. Kam parë një autoambulancë që ka dërguar njërin nga tifozët tanë drejt spitalit por nuk e di se kush është dhe në çfarë gjendje. Ky është një turp për këta tifozë. Megjithatë, do vijë ndonjë ditë dhe ata do të vijnë në Shkodër. Do u tregojmë se kush jemi”- thotë njëri nga pjestarët e grupimit “Vllaznit Ultras”. Edhe pas ndeshjes së futbollit Tirana- Vllaznia të para pak ditëve, një grup tifozësh kryeqytetas i kanë dalë para autobuzit të tifozëve shkodranë dhe i kanë thyer xhamat. Për rrjedhojë, policia ndaloi dy tifozë të Tiranës por pas disa orësh, i ka lëshuar duke i ndjekur në gjendje të lirë. Megjithatë, askush nuk u kujtua për të paguar dëmet e autobuzit të dëmtuar. Sot përsëritet historia. Madje më e rëndë sepse nuk janë thyer xhamat por janë dëmtuar disa tifozë shkodranë. A mban kush përgjegjësi për këtë gjë? Pallati i sportit në kryeqytet është kthyer në arenë dhune mes tifozërive të të dy ekipeve. Policia me forca të pakta në numër, e ka pasur shumë të vështirë që të vendosë përsëri rendin në sallë pas rreth 20 minutash kaos, që është shpërndarë, si në ambientet e brendshme të pallatit të sportit, ashtu edhe jashtë tij, me një bilanc lufte, pasi ka pasur shumë të plagosur mes dy tifozërive. Arbitrat malazezë kanë kërkuar boshatisjen e 5 shkallëve të para për zhvillimin normal të takimit, por basketbollistët e Vllaznisë nuk kanë pranuar, duke u shprehur se u rrezikohet jeta. Për pasojë, Superkupa do të luhet një ditë tjetër, kur të vendosë kryesia e federatës.