Pasditen e së enjtes, në Tiranë do të zhvillohet finalja e Superkupës në basketboll për meshkuj në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Tiranës. Natyrisht që është një ndeshje e cila pritet me interes në kampin shkodran dhe kuptohet që objektivi do të jetë fitorja e këtij trofeu. Njëri nga pjestarët e stafit teknik të kuqebluve, trajneri Bledar Gjeçaj në një prononcim për “SHKODRA SPORT” shprehet se Vllaznia ka treguar edhe më përpara se mund të fitojë ndaj këtij kundërshtari dhe këtë gjë, do të tentojë ta bëjë edhe në këtë finale. “Normalisht që ne jemi gati për këtë ndeshje të Superkupës.

Madje, kemi javë që përgatitemi për të. Do të jetë njëlloj sfide për ekipi tonë për të parë se çfarë gjendje është realisht ndaj këtij kundërshtari me të cilin mendojmë të ndeshemi në finale të kampionatit. Vllaznia ka treguar se mund të fitojë ndaj Tiranës, e bëri këtë në Shkodër, madje mund ta kishte bërë edhe në Tiranë nëse do të ishim treguar pak më të kujdesshëm. I kemi forcat dhe mundësitë për ta fituar këtë trofe dhe jam i bindur se do t’ia dalim”- është shprehur ai. I pyetur nëse fitorja e trofeut të Superkupës, do të ndikonte pozitivisht tek ekipi edhe për plej-ofin e kampionatit, Gjeçaj e pranon këtë gjë kur thotë: “Nëse e fitojmë Superkupën padiskutim që do të jetë një plus më shumë për skuadrën tonë para ndeshjeve finale. Investimi që ka bërë presidenti Dibra dhe donatorët e tjerë, janë bërë me qëllimin e vetëm për t’u shpallur kampionë edhe këtë vit dhe besoj se  do ia arrijmë. Natyrisht duke patur edhe mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë që besoj se do të jenë një plus i madh për ne, sidomos në ndeshjet që do të zhvillojmë në Shkodër”. Takimi Vllaznia- Tirana është planifikuar të luhet nesër në orën 18.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit megjithatë për shkodranët nuk ka shumë rëndësi fakti se ku do të luhet kjo finale. Ata janë njëlloj të motivuar dhe duan të sjellin me çdo kusht kupën në Shkodër.

© shkodrasport.com