Klubi i Skënderbeut është gjobitur me 30 mijë lekë pas përplasjeve me lojtarët e Bylisit gjatë takimit të Kupës së Shqipërisë, e luajtur para dy ditësh, ku korçarët u eliminuan.

Ndërkohë, nga ky incident i shkaktuar pasi gjyqtari Enea Jorgji akordoi një 11-metërsh në favor të mallakastriotëve,  e ka pësuar dhe zëvendëstrajneri Gentian Liço. Për shkak të përplasjeve verbale me lojtarët ballshiotë, ai pezullohet për 3 ndeshje.

Ndërkohë, Kategoria e Dytë ka qenë subjekt i mbledhjes së sotme të Komisionit të Disiplinës.

Futbollisti i Këlcyrës Abaz Zaimi pezullohet me dy takime për protestë me gjeste ofenduese ndaj gjyqtarit.

Lojtarët e Butrintit dhe Maliqi Benardo Bazaj dhe Xhuljan Trëndafili pezullohen për 5 ndeshje për sjellje të pahijshme ndaj kundërshtarit.

Nderkohe kerkesa e Vllaznise per faljen e pjeses se mbetur te denimit te trajnerit te ekipit U17 Brikeno Bizi, nuk eshte marre parasysh nga Disiplina.

Vendimet e datës 26 qershor të Komisionit të Disiplinës: 

1. KF Skënderbeu, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në bazë të Nenit 64/1 të KDS të dënohet me gjobë 30.000 (tridhjetëmijë) lekë.

2. Zyrtari i KF Skënderbeu, Gentian Liço, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/2/a të KDS dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

3. Lojtari i FK Këlcyra, Abaz Zaimi, për protestë ndaj vendime të zyrtarit të ndeshjes, me gjeste ofenduese, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

4. Lojtari i KF Butrinti, Benardo Bazaj, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

5. Lojtari i KF Maliqi, Xhuljan Trendafili, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

6. FC Besa U-19, për mos paraqitje në ndeshjen kundër Akademia e Futbollit U-19, në bazë të Nenit 86/2/d të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe Neneve 30/1 dhe 30/4/a të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe i hiqen 3 pikë nga klasifikimi.

7. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Klosi, Flogert Doma. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtari vendoset ne provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

8. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Pogradeci, Emiljano Hidri. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtari vendoset ne provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

9. Rrëzimin e kërkesës se KF Vllaznia U17 lidhur me zyrtarin Brikeno Bizi si të pa bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.