Vllaznia ka nisur pasditën e sotme përgatitjet në ditën e parë të stërvitjes së trajnerit të ri Goçe Sedloski, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së dielës ndaj Erzenit. Kështu, nën urdhërat e trajnerit maqedonas dhe stafit teknik u vendosën rreth 20-futbollistë, të cilët zhvilluan një seancë të plotë stërvitore.

Ndërkohë, tre futbollistë kanë bërë stërvitje të diferencuar, veçmas nga grupi për shkak të disa shqetësimeve muskulore dhe fjala është për kapitenin Erdenis Gurishta, Marko Juriç dhe Ardit Hoxhaj.

Të tre futbollistët janë nën vëzhgimin e stafit mjekësor dhe gjendja e tyre fizike është duke u monitoruar për të vlerësuar shkallën e dëmtimit.

Megjithatë, shpresohet që ata të jenë të gatshëm për ndeshjen e së dielës ndaj Erzenit, pasi bëhet fjalë për tre futbollistë kyç në lojën e Vllaznisë.

Pasditën e sotme, kuqeblutë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në orën 16:00, ndërsa pasditën e nesërme do të vijojnë përgatitjet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI