Nëse ka diçka që i shqetëson ekipet e moshave dhe Akademitë në Shkodër, padyshim që është infrastruktura dhe fushat ku mund të stërviten. Shpesh herë në muajt e dimrit, fushat e tyre kthehen në një “moçal” të vërtetë dhe shumica e ekipeve stërviten të gjitha në një fushë, pikërisht në “Reshit Rusi”.

E gjithë Shkodra ka vetëm këtë fushë, ndërsa Lushnja ka katër fusha me bar sintetik në dispozicion të ekipeve të futbollit. Një gjë e trishtë nëse marrim për bazë historinë e futbollit në të dyja qytetet.

Për një eksperiencë të tillë të hidhur ka treguar edhe trajneri i ekipit Djelmnia Shkodrane U-17, Arbër Shytani, i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel. Ai tha se në ndeshjen e luajtur përpara një jave në Lushnje me ekipin e tij, pas përfundimit të saj, u takua me trajnerin e ekipit kundërshtar, Bardhyl Elezin, me të cilin kanë luajtur së bashku në një ekip.

“Të them të drejtën, u bëra shumë xheloz për Lushnjen. Sot kishte dy fusha të mëdha sintetike për ekipet e futbollit dhe Akademitë. Ndërkohë, dy të tjera ishin në proçes drejt përfundimit. Ato ishin realizuar falë një bashkëpunimi mes Bashkisë Lushnje dhe FSHF.

Pra, Lushnja për dy muaj do të ketë katër fusha stërvitore. Ndërkohë që, e gjithë Shkodra ka vetëm një. Kjo është keqardhje shumë e madhe të them të drejtën dhe me gjithë rrespektin për ta, Lushnja është sa Xhabijet në Shkodër për nga ana sportive, edhe pse as atë nivel nuk e arrin.

Shumë mirë që i kanë ata, por përderisa në Lushnje janë katër fusha, në Shkodër duhen minimumi 20-fusha me punën që bëhet dhe interesin që ka për futbollin, pasi në qytetin tonë punohet shumë nga të gjitha Akademitë dhe ekipet e moshave”,-deklaroi trajneri i Djelmnisë Shkodrane U-17, Arbër Shytani.

Realisht, Shkodra e konsideruar si djepi i futbollit dhe qyteti që i ka dhënë Shqipërisë shumë futbollistë ndër vite, sot ka vetëm një fushë ku luajnë dhe stërviten dhjetëra ekipe në ditë. Ndërkohë që, Lushnja e njohur vetëm për prodhimin e shalqirit dhe fruta-perimeve, po i jep leksion qytetit të sportit. Ndoshta, kjo është edhe një nga arsyet se pse Shkodra nuk po ecën para dhe futbolli ka pësuar një rënie të theksuar.
Maringlen ZHIVANI