Në një moment krize të thellë dëmtimesh, Milani shpreson të marrë ndonjë lajm më të mirë nga UEFA, sepse sot do të zhvillohet seanca përballë Dhomës Gjykuese të UEFA-s në Nion. Temë e seancës, 121 milionë eurot e bilancit negativ, që kanë shkelur parametrat e Fair Play Financiar për trevjeçarin 2014/2017.

Milani ka dërguar në Zvicër një delegacion kryesuar nga presidenti Paolo Scaroni, ndërsa verdikti do të mësohet brenda dhjetorit dhe drejtuesit teknikë Leonardo e Maldini do të mësojnë përfundimisht sa hapësirë kanë për të manovruar dhe shpenzuar në merkato.

RAST PA PRECEDENT – Dhoma gjykuese e UEFA-s është po ajo që e përjashtoi Milanin nga kompeticionet europiane për shkak të garancive të pakta që jepnin pronarët kinezë, por më pas verdikti u përmbys në CAS, edhe për faktin se grupi Elliott mori pronësinë e klubit.

Për UEFA-n rasti Milan nuk ka precedentë, sepse nuk ka pasur asnjë marrëveshje për uljen e deficitit dhe nëse kjo nuk arrihet, Milani do të dënohet, nga gjoba deri tek kufizimi në merkato.

MERKATO E BLLOKUAR? – Është e sigurt një gjobë e majme, pak a shumë 17 milionë euro, shifër nga e cila rreth 40% do të paguhet menjëherë dhe pjesa tjetër do të mbetet pezull, në varësi të bilancit të ardhshëm të Milanit. Po ashtu, Milani për momentin nuk ka marrë 4.2 milionë euro premio nga Europa League, shifër që mund të mos e marrë fare.

Problemi kryesor është se rrezikohet dënim edhe në merkato: UEFA mund ta ndalojë Milanin të shtojë lojtarë të tjerë në listën e këtij sezoni për Europa League, apo të bllokojë krejtësisht merkaton në hyrje, si dhe të vendosë një çati pagash./telesport/