Shpresat për një ringritje të ekipit Djelmnia Shkodrane U17, pas atij barazimi ndaj Brians, duket se kanë zgjatur fare pak.
Paraditen e sotme, ekipi shkodran i është rikthyer sërish humbjeve në kampionat, sepse në kuadrin e javës së 17-të të tij, është mundur me rezultatin 1-2 nga Shënkolli, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Zmijani”.
Kështu, kanë qenë miqtë, që kanë shënuar shumë shpejt golin e parë, me anë të Përlesit, në minutën e 20-të, duke bërë që futbollistët shkodranë të vendosen në vështirësi.
Ata janë munduar të reagojnë, por e kanë patur të vështirë ndaj miqve. Megjithatë, kanë arritur të barazojnë shifrat, në minutën e 36-të, me anë të golit nga Zhuja.
Barazimi nuk zgjati shumë dhe në fundin e pjesës së parë, Shënkolli do të shënonte shumë shpejt edhe golin e dytë, me anë të Markut, në minutën e 45-të, teksa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2, në favor të Shënkollit.
As pjesa e dytë nuk prodhoi ndryshime në rezultat, teksa pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve, përfundimisht u mbyll 1-2 për Shënkollin, që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 34 pikëve dhe mban vendin e dytë në renditje, ndërsa Djelmnia Shkodrane U17 ka mbetur në kuotën e vetëm 8 pikëve dhe ndodhet e pozicionuar në vendin e parafundit të renditjes. /Maringlen ZHIVANI/
Djelmnia Shkodrane-Shënkolli 1-2
Golat: Zhuja 36’ / Përlesi 20’, Marku 45’