Në ndeshjet e fundit nuk ka luajtur për shkak të një dëmtimi dhe sigurisht që ka ndjerë keqardhje që Ada nuk ka arritur të marrë rezultatet e duhura. Edmond Doçi, një emër i njohur i kësaj skuadre, falë karrierës që ka patur me Vllazninë, kërkon t’i japë moral skuadrës në prag të ndeshjes së rradhës. Aq më tepër, që ajo përkon edhe me uljen në pankinë të trajnerit të ri Ritvan Kulli. Bashkë me këtë, do kthehet edhe vetë Doçi të luajë në këtë ndeshje pasi e ka lënë prapa dëmtimin që ka patur. Duke folur pikërisht në lidhje me takimin e sotëm ndaj Ilirisë që do të luhet në Fushë- Krujë, mbrojtësi i majtë i skuadrës velipojake, do të shprehej: “E rëndësishme për Adën është të dalë në lojën e saj. Nëse ia arrin kësaj, sigurisht që nuk kemi frikë të përballemi më asnjë kundërshtar dhe këtë e treguam edhe ndaj Tomorit që merr pjesë në Superligë, ndaj të cilit kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira. Por mosha shumë e re e disa prej futbollistëve që ne kemi në skuadër, ka ndikuar që ata të mos shprehen ashtu siç duhet. Ndaj Ilirisë kemi një përballje të vështirë, sepse nga sa di unë, ajo ka ndërtuar një ekip të mirë por ne nuk trembemi nga kjo. E rëndësishme është siç e thashë, të dalim në lojën tonë, aq më tepër që ka ardhur edhe trajneri i ri dhe besoj se edhe ai do të kërkojë ta nisë mbarë punën me skuadrën”. Në fakt, me ardhjen e Ridvan Kullit në krye të skuadrës, ai është munduar të rrisë edhe moralin e futbollistëve. Përvoja e tij e madhe si trajner në këtë kategori, pritet të japë efektin e vet në këtë drejtim. Edhe Doçi mendon se në ndeshjen e sotme ndaj Ilirisë, faktori trajner do ketë ndikimin e vet prandaj thotë: “Në shumicën e rasteve ndryshimi i trajnerëve ka ndikuar për mirë sepse futbollistët duan t’i tregojnë atij sesa vlejnë dhe prandaj mundohen të paraqiten mirë në fushë. Shpresoj të ndodhë kështu edhe këtë herë dhe trajneri Kulli të jetë më këmbë të mbarë tek Ada. Ne do mundohemi t’ia bëjmë më të lehtë punën atij por edhe për ta çuar skuadrën aty ku i takon sepse nuk e meriton të jetë në vendet e fundit të tabelës së renditjes me elementin që ka dhe me lojërat që ka zhvilluar”. Edmond Doçi si lojtari më me përvojë i kësaj skuadre, di të thotë edhe dy fjalë edhe për ish-trajnerin Samuel Nikaj dhe largimin e tij pas humbjes së fundit me Dinamon. Për të, fajin kryesor për mungesën e rezultateve e kanë lojtarët. “Sigurisht që dikush do ta pësonte kur skuadra nuk ka rezultatet e duhura. Faji kryesor fillon tek ne futbollistët dhe pastaj shkon tek stafi por kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, sigurisht që ai i cili e pëson i pari është trajneri dhe prandaj Nikaj dha dorëheqjen. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë punën dhe të tregojmë vlerat tona”-është shprehur Doçi i cili sot do të riktehet në formacion për ndeshjen me Ilirinë pas dëmtimit që ka patur.
Gjergj KOLA