Opinion nga Xhevat RAMA

Që në fillim e kam ditur që Tefik Osmani nuk ka për të qëndruar te Vllaznia. Me të drejtë apo pa të drejtë, këtë nuk di ta them unë, sepse fundja fundit, nuk jam gjykatës. Bëri mirë që iku apo jo, këtë do ta ndjejë ose jo skuadra shkodrane më shumë se kushdo tjetër, qoftë edhe nga ana financiare. Mbrojtësi Osmani, për veten e tij, ka bërë shumë mirë.Dinak, një karakteristikë e tija, por me një lojë të trefishtë, ka bërë që t’ia dalë mbanë në misionin që donte:

Të largohej sa më parë te Vllaznia dhe të dilte pa u lagur, lekët t’i merrte dhe topin t’ua linte në derë shkodranëve. I realizoi me një të “shtënë”, mirë bëri fundja, secili mendon për veten e tij, se mos e ka vrarë mendjen ndonjëherë Osmani për tifozë, kudo ku ka vajtur. Loja që bëri ishte ndër më të bukurat e kësaj merkatoje dimërore.
Së pari, nuk doli për asnjë ditë në stërvitje me të rinjtë e Vllaznisë, sajoi një largim për në Tajlandë, që vetëm mendja djallëzore e tij mund ta bënte, ngriti padi ndaj klubit shkodran, e fitoi gjyqin duke përdorur edhe trajneri Bushati (shumë më pak presidentin Çela) dhe në fund nuk u penalizua as financiarisht, iku në Durrës, atje ku do të vijojë normalisht, madje nuk është çudi edhe në Kombëtare. Ai i ka llogaritur të gjitha, sikur të dështonte një pistë, do niste një tjetër, të jeni të sigurt, që në çfarëdolloj mënyre, ai do të largohej nga Vllaznia.
Deklaratat e tija që, nëse do trajneri Bushati, kthehem për Vllazninë, u dukën qartë se ishin thjesht propagandë e tija. Osmani luajti aq bukur filmin, saqë shkoi dhe ul edhe në stolin e Vllaznisë në Ulqin, një aktor shembullor i ditëve të sotme të futbollit. Mashtroi një publik të gjerë dhe jo vetëm atë shkodran. Por, siç e thashë, mirë bëri…
E cilësova blof të Bushatit, sepse ashtu ndodhi. Ishte njeriu që doli garant për të. Nuk dua kurrsesi ta paragjykoj, as ta akuzoj, por kam një hije dyshimi, që në lojën e Osmanit ishte përfshirë edhe ai. Si mundet që një trajner të dalë garant ashtu? Po tani, çfarë përgjigje do t’ju japë trajneri Artan Bushati gjithë tifozëve shkodranë, ndërsa aq më shumë drejtuesve të klubit? Lexova diku që Bushati ka qenë i mërzitur që ka ikur Osmani, duke e cilësuar mbrojtësin si besëthyer.
Natyrisht, që edhe një i jashtëm do të mërzitej në këtë mesele kur e mëson me detaje se si ua hodhi të gjithëve në Shkodër. Bushati është profesionist, nuk është hera e parë që drejton një ekip, ka vite të tëra që merret me futbollistët. Ndërsa edhe karakterin e Osmanit e njihte edhe më mirë akoma, teksa e ka trajnuar atë.
Si nuk gjeti një formë garancie Bushati për ta ndalur këtë largim të tijin? Nuk e besoj kur thotë që nuk e kishte menduar këtë, që Osmani e preu në besë. Prandaj dyshoj që mund të jetë kurdisur diçka mes tyre. Interesi? Këtë nuk di ta them. Mund të kenë ndërhyrë persona me peshë te Bushati dhe mund të ketë qenë i detyruar, siç ndodh rëndom në Shqipëri.
Mund të jetë edhe anë financiare, edhe pse kjo e fundit mendoj se ka më pak mundësi. Bushati bëri vetëm një gjë të mirë, që nuk doli publikisht të deklaronte apo të komentonte rreth ikjes dinake dhe të shëmtuar të Osmanit. Ndoshta do të flasë kur të vijë në Shkodër, të shohim, mbetet për t’u parë se çfarë do të thotë, sepse klubi natyrisht që do t’i kërkojë llogari, janë humbur lekë në këtë mes…
Përgjegjësia më e madhe u takon drejtuesve shkodranë. Që nga momenti i gjobës, që aty duhet nisur, nga ajo gjobë që e detyroi edhe Osmanin të përgatisë skenarin më të bukur të karrierës së tij. Mes miqsh e kam deklaruar shpesh që gjoba kundrejt tij, por edhe të tjerëve, ishte e pakuptimtë, sepse në kontratën e tij nuk e ka të shkruar në ndonjë pikë për performancë, objektiv dhe të tjera.
Ndërsa në rregulloren e brendshme të klubit, siç po pretendojnë drejtuesit shkodranë, sërish nuk është e shkruar tekstualisht për performancë (ndryshe nuk do ta kishte fituar gjyqin Osmani). Ky është hapi i parë i gabuar i drejtuesve të klubit të Vllaznisë. E dyta, kur doli garant trajneri Bushati, duhej të diskutohej mënyra e garancisë.
Nuk mund të bëhen këto gjëra me fjalë bese. Vetëm me noteri mund të bëhej. Këtë nuk e bënë drejtuesit injorantë të Vllaznisë, teksa ditën e gjyqit mungonin në FSHF dhe Osmani nuk e pati fare të vështirë. Do hiqte padinë Osmani? Pse ta bënte ai? Mos e respektuat ju atë? Ndërsa ju drejtues nuk bëtë asnjë gjë, as ligjërisht dhe as financiarisht ta ndalonit.
Fajtori në këtë rast është klubi, që duhet sërish të paguajë. Dëgjova për krisje të marrëdhënieve akoma pa nisur nga puna. Natyrisht që do të krisen marrëdhëniet kur gjërat nuk formulohen saktë. Osmani “ua futi”, por të tjerë Osmanë do ta bëjnë këtë, sepse duhen ekspertë në krye të klubit dhe jo militantë apo besnikë idealesh.