Më 24 tetor do të luhet ndeshja e kthimit e “Uefa Youth League” në mes Vllaznia U19 dhe FC Astana. Siç dihet, ndeshja e parë e luajtur javën e kaluar në Kazakistan është fituar nga vendasit me rezultatin 3-1.

Takimi i kthimit është planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe për këtë është sinjalizuar edhe UEFA. Por ndërkohë kohët e fundit ka dalë në skenë një problem, ai i ndërhyrjes në tapetin e këtij stadiumit, çka ka bërë që ky impiant sportiv të mbyllë dyert për disa kohë.

Kjo gjë ka shtuar frikën e drejtuesve të Akademisë nëse do të luhet ndaj Astanës apo jo. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ana e drejtorit admministrativ të Akademisë Vllaznia Qashif Hoxha i cili ka qenë i ftuar në “Sport Show” kur ka deklaruar:

“Ka zëra se stadiumi mund të mos hapet nga ana e FSHF-së për këtë ndeshje ngaqë drejtuesit e stadiumit duan ta ruajnë fushën për ndeshjen Shqipëri- Skoci që do të luhet muajin e ardhshëm.

Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu sepse e kemi të nevojshme që këtë ndeshje ta luajmë në Shkodër. Për shumë e shumë arsye, ndeshja ndaj Astanës duhet luajtur në këtë stadium, për publikun, për objektivat tona për të kaluar turin dhe shumë gjëra të tjera.

Shpresojmë të ndodhë kështu dhe ata që e kanë në dorë këtë gjë, të vendosin pozitivisht për këtë problem”.
© shkodrasport.com