Koplikasit u mendua se do të ishin më të fortë në sezonin e ri falë ndryshimeve që kanë patur në merkato, por në fakt nisja e kampionatit ka treguar tjetër gjë.

Veleçiku është mundur 0-3 në takimin e parë nga Erzeni brenda në “Reshit Rusi” dhe pas përfundimit të këtij takimi vetë trajneri Duli shfaqi rezerva ndaj të ardhurve kohët e fundit në skuadër.

Por duket se humbja e djeshme ka nxjerrë në skenë një problem tjetër: Atë të largimit nga ekipi të tre prej emrave të njohur të këtij viti në gjithë këto vitet e fundit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ersi Lami, mesfushorin Ervis Plishta dhe sulmuesin Denis Çokaj.

Të tre këta lojtarë nuk janë preferuar të jenë pjesë e skuadrës në sezonin e ri, ndonëse Lami me golin e shënuar në ndeshjen e play- out ndaj Shkumbinit, e mbajti Veleçikun në kategorinë e parë. Ndonëse Plishta kontribuon me sukses prej vitesh për të dhe ndonëse sulmuesi Çokaj ka shënuar shumë gola për ekipin koplikas dhe ka dhënë shpirtin për të.

Vetë lojtarët nuk janë shprehur publikisht në lidhje me këtë largim, por ka mjaftuar shkrimi i humbjes së djeshme ndaj Erzenit dhe gjithçka ka marrë udhë. Ka qenë një koment i ish- portierit të Veleçikut Kristian Gjergji që ka bërë të flasë edhe protagonistët e tjerë.

“Ervis Plishta, Denis Çokaj, pa ju Veleçiku tana ndeshjet kështu shkojnë”- do të shkruante ish- portieri. Dhe menjëherë ka ardhur reagimi i Plishtës që shkruan: “Kristian Gjergji mos harro Ersi Lamin se kjo treshe ka mbajt Veleçikun aty ku është”. Nuk ka munguar të komentojë edhe Lami që shkruan: “E kam mbyll me nder në ndeshjen e fundit”.
© shkodrasport.com