Erdhi pa shumë bujë edhe për faktin se nuk la gjurmë me ekipin e Teutës, por Mario Gjata është bërë menjëherë një protagonist me Egnatia duke luajtur dy takime si titullar dhe gjetur rrugën e rrjetës kundër Kukësit. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Gjata u shpreh se nuk e priste këtë ambientim me rrogozhinasit dhe se i është vetë ofruar klubit bardhëjeshil.

Gjata, dy ndeshje titullar dhe gjeni golin e parë me fanellën e Egnatias, si ndiheni?

Së pari dua të theksoj që jam i lumtur që ndodhem tek Egnatia. Jam i ekzaltuar për golin jo vetëm se luaj dhe matem me të, por e dija që duhet të shënoja. E shijova shumë dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë shokët e ekipit, trajnerin, por veçanërisht Edison Ndrecën që ma bëri të thjeshtë me asistin e tij perfekt. Dua të vazhdoj kështu dhe uroj të mos ndalem më pasi ndihem mirë fizikisht dhe skuadra ka cilësi që me ndihmon të tregoj vlerat e mia.

E prisnit të kishit këtë nisje me rrogozhinasit, duke ditur që keni luajtur pak me Teutën?

Të jem i sinqertë nuk e prisja këtë nisje aq më tepër që vija pa minuta në këmbë pavarësisht se kam punuar shumë individualisht. Nga e shkuara duhet të marr vetëm mësime për ta harruar sa më parë atë dhe për të parë nga e tashmja dhe e ardhmja. Kam uri dhe tashmë jam i qetë dhe për mua këto janë dy aspekte që do më suportojnë vazhdimësi.

Çfarë ju bindi që firmosët me Egnatian?

Nuk ndihesha mirë tek Teuta dhe vendosa të ndryshoj ambient. E vërteta është se i jam vetëofruar klubit të Egnatias. Trajneri dhe presidenti, që gjej momentin t’i falënderoj, e pritën mirë kërkesën time dhe më shprehën ndër të tjera mbështetje maksimale. Kjo më bëri entuziast, pasi për një futbollist besimi dhe mbështetja janë thelbësore për të qenë i rëndësishëm aty ku ndodhesh. Nuk u mendova dy herë dhe firmosa duke u bashkuar me skuadrën për t’u stërvitur. Me aq sa kam kuptuar edhe pse është fillimi di të them se jam në vendin e duhur në momentin e duhur.

Sa gjasa ka që të shpalleni kampion?

Ky sezon ka treguar që është shumë i luftuar, pasi diferencat janë të vogla dhe episodet kanë qenë ato që kanë bërë diferencën. Skuadra është ndërtuar për të fituar dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e deri tanishme. Objektivi i parë është mbërritja në “Final 4”, aty pastaj ka llogari të tjera që do të përcaktojnë gjithçka. Duke parë cilësitë që Egnatia ka në organikë, me pak kujdes mund të mundim këdo dhe kudo. Shpresoj shumë që në fund të sezonit të ngre lart trofeun e titullit kampion.

Cili është objektivi personal me ngjyrat bardhëjeshil?

Objektivi im është të ndihmoj sa mundem skuadrën qoftë është, duke vrapuar në fushë. Synoj të shënoj dhe asistoj për shokët e ekipit me qëllim që të gjithë bashkë të arrijmë atë që kërkojmë në fund të sezonit. Uroj të kem vazhdimësi, sepse duke luajtur vijnë golat dhe gjithçka tjetër. Mundësitë dhe shanset janë aty thjeshtë duhet t’i shfrytëzojmë në dobi të ekipit.

Cili është idhulli juaj?

Idhulli im i fëmijërisë dhe që më ka inspiruar që të bëhesha futbollist është Zllatan Ibrahimoviç. Suedezi ka pasur cilësi të jashtëzakonshme dhe një karakter unik duke e bërë të veçantë gjigandin nordik për atë që i ka dhënë futbollit botëror. Dua të theksoj që sa i takon futbollit shqiptar kam pasur fatin të shoh një lojtar si i ndjeri Rafael Duamena. Ai ishte aset i çmuar jo vetëm i Egnatias, por futbollit shqiptar në tërësi ndaj do të dëshiroja shumë të kisha luajtur me të.